BOTA NË VITIN 2022

02 janar 2023 | 10:57

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, lëvizja protestuese në Iran, vënia në pikëpyetje e së drejtës së abortit në Shtetet e Bashkuara e kanë karakterizuar botën gjatë vitit 2022.

Rusia sulmon ushtarakisht Ukrainën

24 shkurt – Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainën, duke e zhytur botën në një krizë të paparë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ndaj pushtimit të Ukrainës kanë reaguar njëzëri të gjitha vendet perëndimore, duke i dalë në ndihmë shtetit ukrainas, financiarisht dhe me armët më moderne. Që nga fillimi i kësaj lufte është raportuar për numër të madh viktimash dhe humbje të mëdha të Rusisë, së cilës i ka hasur “sharra në gozhdë” në Ukrainë, e cila është duke i rezistuar agresionit rus.

Pas 14 vjetësh presidenti izraelit viziton Turqinë

9 mars – Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka qëndruar për një vizitë dyditore në Turqi, duke shënuar përmirësim në marrëdhëniet që kanë qenë të tensionuara për më shumë se një dekadë. Vizita e presidentit izraelit Isaac Herzog në Ankara është shenja më domethënëse e përpjekjeve për afrim mes dy vendeve. Turqia kishte tërhequr ambasadorin e saj në vitin 2018 në shenjë proteste ndaj sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës.

Navalny dënohet me nëntë vjet burg

22 mars – Udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny, është dënuar me nëntë vjet burgim për mashtrim dhe mospërfillje. Ky gjykim, nga kritikët e Kremlinit, është parë si përpjekje për ta mbajtur sa më gjatë në burg armikun më të zjarrtë të presidentit Vladimir Putin. Navalny ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur ato të motivuara politikisht. Prokuroria kishte kërkuar 13 vjet burg të sigurisë maksimale për aktivistin kundër korrupsionit dhe një gjobë prej 1.2 milion rublash.

OKB pezullon Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut

7 prill – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka pezulluar Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut pas raportimeve “për shkelje sistematike dhe abuzim të të drejtave të njeriut” nga trupat ruse që kanë pushtuar Ukrainën. Kjo kërkesë e shtyrë nga Shtetet e Bashkuara është miratuar me 93 vota për, 24 kundër dhe 58 shtete kanë abstenuar. Në mesin e vendeve që e kanë mbështetur pezullimin janë: Shtetet e Bashkuara, kombet e Bashkimit Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe vetë Ukraina. Kina, Siria dhe Bjellorusia kanë votuar kundër. India, Egjipti dhe Afrika e Jugut kanë qenë në mesin e vendeve që kanë abstenuar. Për pezullimin e Rusisë janë nevojitur dy të tretat e shumicës. Pezullimet e tilla janë të rralla. Libia është pezulluar më 2011 për shkak të dhunës kundër protestuesve nga forcat besnike të ish-liderit, Muammar Gaddaf.

Macroni siguron mandatin e dytë presidencial në Francë

24 prill – Presidenti francez Emmanuel Macron ka shënuar fitore bindëse ndaj rivales së tij të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit në Francë. Macron, 44-vjeçar, ka fituar më shumë se 58 për qind të votave në krahasim me më pak se 42 për qind sa ka fituar Le Pen, 53-vjeçare. Momentet e gëzimit janë parë menjëherë në ekranet e mëdha afër Kullës Eiffel, ku janë mbledhur mbështetësit e Macronit, të cilët janë parë me flamuj francezë dhe ata të Bashkimit Evropian.

Përmbysja e të drejtave të abortit në ShBA

25 qershor – Në qershor Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara i ka dhënë çdo shteti lirinë për ta ndaluar abortin në tokën e tij, duke përmbysur vendimin historik të vitit 1973. Pas kësaj përmbysjeje, rreth 20 shtete ndaluan plotësisht ose kufizuan të drejtën për ndërprerje vullnetare të shtatzënisë dhe çështja dominoi fushatën zgjedhore afatmesme. Në nëntor, zgjedhjet afatmesme nuk rezultuan në një “valë” të kuqe konservatore, siç kishin shpresuar mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump. Demokratët mbajtën kontrollin e Senatit dhe republikanët siguruan një shumicë të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve. Donald Trump, megjithatë, shpalli kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të 2024-s. Kandidatura e ish-presidentit mund të kërcënohet nga ndjekjet e mundshme, pasi një prokuror special u caktua në nëntor për dy nga hetimet e shumta që kanë në shënjestër atë.

Vritet ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe

8 korrik – Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka vdekur pasi është sulmuar me armë zjarri në një ngjarje në qytetin Nara. Abe, 67 vjeç, po mbante një fjalim për zgjedhjet, kur u qëllua me dy plumba. Sulmuesi i dyshuar është arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa Abe është dërguar menjëherë në spital në gjendje të rëndë, ku kishte ndërruar jetë.

30 milionë pakistanezë preken nga përmbytjet e furishme

28 gusht – Provinca Khyber Pakhtunkhwa në veriperëndim të Pakistanit ka përjetuar tmerrin. Shumë persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve të furishme. Autoritetet pakistaneze kanë njoftuar se numri i viktimave ka arritur në rreth 1 000, ndërsa mbi 20 mijë shtëpi janë të dëmtuar vetëm në qytetin Nowshera. Rreth 30 milionë njerëz janë prekur nga përmbytjet në mbarë vendin.

Vdes në moshën 91-vjeçare Mihail Gorbaçovi

30 gusht – Mihail Gorbaçovi, i cili i kishte dhënë fund Luftës së Ftohtë pa gjakderdhje, por që kishte arritur ta parandalojë shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, ka vdekur në moshën 91-vjeçare. Gorbaçovi, presidenti i fundit sovjetik, kishte arritur marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për pakësimin e armëve si dhe partneritete me fuqitë perëndimore për ta hequr “Perden e Hekurt” që kishte ndarë Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore si dhe për ta mundësuar ribashkimin e Gjermanisë.

Ndërron jetë Mbretëresha Elizabeth e Britanisë, Charles III monarku i ri

8 shtator – Mbretëresha Elizabeth, monarkia më jetëgjatë e Britanisë dhe kryetarja e shtetit për shtatë dekada, ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare. I biri i saj, 73-vjeçari Charles, është bërë automatikisht mbret i Mbretërisë së Bashkuar dhe kreu i shtetit për 14 territore të tjera, përfshirë Australinë, Kanadanë dhe Zelandën e Re. Ai do të njihet si Mbreti Charles III. Bashkëshortja e tij, Camilla, do të njihet si mbretëresha bashkëshorte. Në varrin e Elizabethes kanë marrë pjesë personalitete të shquara nga e gjithë bota, duke përfshirë edhe Kosovën.

Revoltë kundër shamisë, shtypje e dhunshme në Iran

Më 16 shtator – Mahsha Amini, një 22-vjeçare iraniane me origjinë kurde, ka vdekur në spital tri ditë pasi është arrestuar nga policia e moralit që e ka akuzuar për shkelje të kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike për gratë. Vdekja e saj ka ndezur një valë protestash në të gjithë Iranin që nuk ishin parë që nga Revolucioni Islamik më 1979. Gratë e reja ishin në ballë të lëvizjes protestuese, prej tyre kanë hequr dhe djegur shamitë në kundërshtim me autoritetet. Demonstratat për lirinë e grave po kthehen gradualisht në një lëvizje më të gjerë kundër regjimit islamik, duke marrë rrugët, universitetet dhe madje edhe shkollat, pavarësisht shtypjes. Autoritetet kanë thënë se janë shënuar të paktën 300 vdekje (që nga 12 shtatori), me një OJQ me bazë në Norvegji që liston të paktën 469. Në fillim të dhjetorit autoritetet bënë një gjest për protestuesit, duke njoftuar shpërbërjen e policisë së moralit.

Xi Jinping rizgjedhet kryetar i Partisë Komuniste, politika “zero Covid” sfidohet

23 tetor – Presidenti kinez Xi Jinping është rizgjedhur në krye të Partisë Komuniste Kineze (CCP) në Kongresin e 20 të CCP, i rrethuar nga aleatë besnikë për t’u bërë udhëheqësi më i fuqishëm në Kinën moderne. Gjatë dhjetë vjetëve të tij në krye të vendit, Xi Jinping ka demonstruar një dëshirë për kontroll, duke ndërhyrë në pothuajse të gjithë mekanizmat e vendit dhe duke tërhequr kritika ndërkombëtare për të dhënat e të drejtave të njeriut në vend. Ajo, gjithashtu, ruan një rivalitet në përkeqësim me Shtetet e Bashkuara. Tensionet në ngushticën e Tajvanit kanë arritur nivelin e tyre më të lartë në vite pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi, ka vizituar ishullin autonom në fillim të gushtit. Kina është hakmarrë duke kryer stërvitje tokësore dhe detare të një përmase të paprecedentë që nga mesi i viteve 1990. Dhe presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ka deklaruar se trupat amerikane do ta mbrojnë Tajvanin nëse ishulli pushtohet nga Kina. Strategjia “zero Covid” e vendit, e cila ka quar në mbylljen e rretheve apo qyteteve të tëra kur shfaqen shpërthime, ka provokuar në fund të nëntorit protestat më të mëdha në dekada. Autoritetet janë përgjigjur me një goditje dhe më pas, në dhjetor, u miratua një lehtësim i përgjithshëm i rregullave shëndetësore për ta qetësuar zemërimin popullor dhe për të mbështetur ekonominë e lëkundur. Në fund të dhjetorit Kina, më në fund, ka njoftuar se më 8 janar të vitit 2023 do t’i japë fund karantinës së detyrueshme kur dikush të mbërrijë në vend, mbetja e fundit e politikës së rreptë shëndetësore “zero Covid”. Pas këtij relaksimi, rastet me Covid po përjetojnë një shpërthim në vend si pasojë e të cilit spitalet janë nën presion të madh, ndërsa farmacitë prekin mungesën e ilaçeve kundër temperaturës dhe gripit.

Sunak emërohet kryeministër i Britanisë

25 tetor – Rishi Sunak zyrtarisht është emëruar në pozitën e kryeministrit të Britanisë, duke zëvendësuar Liz Truss, e cila kishte dhënë dorëheqje pas 44 ditësh si kryeministre, pasi një program ekonomik që ajo kishte prezantuar shkaktoi trazira në tregjet financiare, duke bërë që ta humbiste mbështetjen e Partisë Konservatore. Truss e kishte zëvendësuar Boris Johnsonin, i cili më 7 korrik pati dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.
Sunak, ish-ministër i Financave, është kryeministri i parë i Britanisë me prejardhje indiane. Më 25 tetor Mbreti Charles III e ftoi Sunakun që ta formojë qeverinë e re britanike. Sunak, multimilioner dhe ish-drejtues i fondeve investuese, ka thënë para ligjvënësve të Partisë Konservatore më 24 tetor, se Britania përballet me “krizë ekzistenciale” dhe “ne duhet të bashkohemi ose të vdesim”.

Shpresa për paqe në Etiopi

2 nëntor – Pas dy vjetësh konflikt, Qeveria federale e Etiopisë dhe autoritetet rebele në provincën veriore të Tigray kanë nënshkruar një marrëveshje “pushimi armiqësish” në Pretoria më 2 nëntor, që synon t’i japë fund një lufte që organizatat joqeveritare e quajtën atë “një nga më vdekjeprurësit në botë”. Pas një armëpushimi pesëmujor, luftimet kishin rifilluar në fund të gushtit. Përveç çarmatosjes së rebelëve, marrëveshja e paqes pritet ta lejojë dërgimin e ndihmave humanitare në Tigray, i cili praktikisht është shkëputur nga pjesa tjetër e botës dhe gjashtë milionë banorët e tij kanë qenë pa ushqim dhe ilaçe për më shumë se një vit. Kolona e ndihmës së parë që nga fundi i gushtit mbërrin më 16 nëntor. Trajtimi i punëtorëve emigrantë, thelbësor në një vend ku Katarianët përbëjnë vetëm 10 për qind të një popullsie prej tre milionësh, është veçanërisht i kritikuar. Disa medie raportojnë mijëra të vdekur në kantieret e ndërtimit, një llogari e mohuar nga Doha.

Sllovenia zgjedh presidenten e parë grua

13 nëntor – Aktivistja e të drejtave liberale, Natasa Pirc Musar, ka fituar balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të Sllovenisë. Musar është bërë presidentja e parë grua e shtetit të vogël, anëtar i Bashkimit Evropian (BE). Fitorja e saj i ka dhënë edhe më shumë shtytje bllokut liberal slloven pas fitores së koalicionit të qendrës së majtë në zgjedhjet parlamentare që ishin mbajtur në prill. Natasa Pirc Musar është një avokate e shquar sllovene. Ajo ishte përfaqësuese ligjore e ish-zonjës së parë të ShBA-së, Melania Trump, në çështjet gjyqësore për të drejtat e autorit dhe çështje të tjera në vendlindjen e saj, Slloveni.

Bota me 8 miliardë banorë, në vitin 2023 India do të ketë më shumë banorë se Kina

15 nëntor – Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka bërë me dije se popullsia e botës ka arritur në 8 miliardë banorë dhe India në vitin 2023 pritet të jetë vendi me numrin më të madh të popullsisë, duke ia kaluar Kinës. Por, rritja e shpejtë e popullsisë mund të shkaktojë sfida ekonomike për Indinë. Në rrugët e mbushura me njerëz të kryeqytetit të Indisë, Nju-Delhi, banorët kanë shprehur shqetësimet e tyre për pasojat ekonomike. India aktualisht ka një miliard e 412 milionë banorë, ndërsa Kina një miliard e 426 milionë.

Mbi 300 të vdekur nga tërmeti në Indonezi

21 nëntor – Një termet i fuqishëm ka goditur Indonezinë, duke lënë të vdekur mbi 310 persona. Shërbimi Gjeologjik i ShBA-së (USGS) ka njoftuar se tërmeti 5.6 ballë është regjistruar 18 kilometra në jugperëndim të qytetit Ciranjang, në rajonin e Java-s Perëndimore të Indonezisë, në një thellësi prej 10 kilometrash.

Fitoret dhe humbjet për të djathtën ekstreme

Pas katër vjetësh në pushtet, presidenti i ekstremit të djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro, u mund ngushtë nga i majti Luiz Inacio Lula da Silva në zgjedhjet presidenciale të 30 tetorit pas një fushate toksike. Lula, i cili është burgosur për korrupsion (2018-2019) përpara se të rrëzohej, do të kthehet zyrtarisht si kreu i shtetit të Brazilit më 1 janar 2023. Suksesi i tij duket se shënon rikthimin e të majtëve në Amerikën Latine. Në Evropë, përkundrazi, ultra-konservatorët kanë shënuar fitore në zgjedhjet parlamentare në disa vende, duke filluar në prill me fitoren e katërt radhazi të liderit të partisë nacionaliste hungareze, Viktor Orban. Në Francë, Partia e Marine Le Pen (e djathta ekstrem) ka regjistruar një fitore historike në qershor, duke u bërë partia e parë opozitare në Asamblenë Kombëtare, ku kreu i shtetit Emmanuel Macron ka humbur një shumicë absolute. Partia Demokratike Suedeze (SD) nacionaliste dhe anti-imigruese është fituesja e madhe në zgjedhjet e shtatorit, duke u bërë forca e dytë politike më e madhe në vend. Në Itali, Georgia Meloni ka shënuar një fitore historike në shtator me partinë post-fashiste të Italisë Adelphia dhe u emërua kryeministre në tetor.

Inflacioni si pasojë e krizës energjetike

Rritja e çmimeve, e cila filloi në vitin 2021 për shkak të ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit, e kombinuar me kërkesën e fortë për mallra dhe shërbime thelbësore, ndërsa ekonomitë rifilluan të rimëkëmbeshin pas Covidit është përshpejtuar në vitin 2022, duke arritur nivele të papara që nga vitet 1970 dhe 1980. Inflacioni ka arritur në 10.1 për qind në nëntor në Eurozonë. Inflacioni është ushqyer nga lufta në Ukrainë, e cila është duke e zhytur Evropën në një krizë të thellë energjetike. Rusia, nën ndikimin e sanksioneve perëndimore, është duke i shumëfishuar hakmarrjet e saj derisa ta godasë pikën e ndjeshme të BE-së: varësinë e saj nga gazi rus. Eksportet e gazit rus, kryesisht përmes Gjermanisë dhe Italisë, shumë të varura, janë në rënie të lirë. Për shkak të kufizimeve të vazhdueshme shëndetësore të lidhura me Covid-19, mungesat e çipave elektronikë, kryesisht të prodhuar në Tajvan, kanë ngadalësuar edhe shumë sektorë ekonomikë. Për ta zbutur inflacionin, Banka Qendrore e ShBA-së ka rritur në mënyrë agresive normat e interesit që nga marsi, duke e bërë huamarrjen gjithnjë e më të shtrenjtë, me Bankën Qendrore Evropiane që ndjek shembullin.

Kushtet ekstreme të motit

Në vitin 2022 fatkeqësitë e lidhura me ngrohjen e klimës janë shumëfishuar. Vera është më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në Evropë, temperaturat rekord dhe valët e të nxehtit kanë shkaktuar thatësirë dhe zjarre pyjore (të paktën 6 milionë e mijë 600 hektarë pyje janë kthyer në hi nga janari deri në mes të gushtit në BE). Akullnajat alpine shënuan humbje rekord të masës së akullit. Të paktën 15 mijë vdekje janë të lidhura drejtpërdrejt me të nxehtin në Geria Epir, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kina ka thyer gjithashtu rekordet e të nxehtit në gusht dhe thatësira kërcënoi Bririn e Afrikës me zi buke. Zjarret dhe shpyllëzimi kanë thyer rekorde të reja në Amazonën braziliane. Në mesin e dhjetorit më shumë se 190 vende kanë miratuar një marrëveshje historike në Montreal në një përpjekje për ta ndaluar shkatërrimin e biodiversitetit dhe burimeve të tij natyrore. Marrëveshja parashikon një udhërrëfyes me synimin kryesor për mbrojtjen e 30 % të planetit deri në vitin 2030.

(Përgatiti: Lirim Geci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ditën e parë të vitit 2023, Suedia mori nga…