“Bota po paguan çmimin”, Erdogan “i xhindosur” me Izraelin: 8 miliardë njerëz vuajnë pasojat e luftës së Netanyahut për pushtet
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, ka deklaruar së fundi se konflikti i cili përfshin Izraelin, SHBA-në dhe Iranin, është një “luftë e paligjshme”, e cila po zhvllohet nga kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu.
Duke shtuar më tej se e gjithë bota po e paguan çmimin e kësaj lufte. “25 ditët e fundit kanë treguar se, megjithëse kjo është lufta e Izraelit, bota po e paguan çmimin. Është lufta e Netanyahut për pushtet, por 8 miliardë njerëz po vuajnë pasojat“, tha Erdogan.
Teksa më tej sipas raportimit të mediave të huaja shtoi se konflikti mund të përfundojë së shpejti përmes një procesi negociues, “para se të shkaktohen dëme në ekonominë globale, të cilat do të duhen vite për t’u riparuar”.
Erdogan më tej ka shtuar se “qëndrimi i paepur, maksimalist dhe radikal i Izraelit nuk duhet të lejohet të sabotojë zgjidhjet diplomatike”. Presidenti turk është shprehur se duke qënë se Turqia e kuptoi atë që po ndodhte ka qëndruar larg asaj që ai e quajti “unazë zjarri”.



