Botohet libri i Nysret Sertollit “Arsimi në Bellanicë dhe rrethinë”

01 dhjetor 2023 | 16:31

Ka dalë dje nga shtypi monografia “Arsimi në Bellanicë dhe rrethinë”, e cila do të përurohet nesër me rastin e pensionimit të autorit të saj.

Veterani i arsimit, Nysret Sertolli, mësues në Shkollën Fillore “Ismail Qemali” në Bellanicë, pas monografisë “Bellanica: monografi” botuar vitin e kaluar, këtë vit ka botuar monografinë “Arsimi në Bellanicë dhe rrethinë”.

Për gazetën “Epoka e re” ai ka thënë se pas edukimit të brezave të rinj në shkolla shqipe mbi dyzet vjet, karrierën prej mësuesi po e përmbyll me dy libra. “Bellanica nuk ka pasur monografi. Me shumë mund e përgatita dhe e botova. As arsimi në  Bellanicë nuk ka pasur monografi. Edhe këtë e përgatita dhe e botova. Gjeneratat e reja duhet të mësojnë për punën e vështirë të gjeneratave të vjetra. Duhet t’i kujtojnë dhe t’i nderojnë”, ka thënë Sertolli.

Librin të cilin e ka përgatitur autori është një punë madhështore dhe një shembull i mirë i cili frymëzon dhe nxit të tjerët të shkruajnë për shkollën ku kanë punuar.

Parathënia e librit  “Arsimi në Bellanicë dhe rrethinë” nga Adem Derguti

Nysret Sertolli paraqitet këtë herë me librin e dytë “Arsimi në Bellanicë dhe rrethinë”. Dhe historia mbi arsimin dhe kulturën patjetër që duhet të shkruhet. Nysreti e mori përsipër të shkruajë një libër mbi arsimin për shkollën ku ka mësuar dhe ka punuar dhe për shkollat e tjera të fshatrave përreth të cilat më vonë u pavarësuan nga Shkolla Fillore “Ismail Qemali” në Bellanicë. Këtë ia ka borxh çdo mësues dhe kjo është një detyrë patri­otike për vendlindjen dhe shkollën ku ka punuar. Nysreti nuk e la në harresë histo­rinë e arsimit të fshatit të tij dhe mësuesve të tjerë që me nder dhe respekt bartën barrën e rëndë të edukimit dhe arsimimit të gjeneratave. Mësuesit kanë ecur nëpër rrugë të gjata dhe të vështira, por të lavdishme. Kanë kaluar shtigjeve të rrezikshme duke kapërcyer kurthe dhe pengesa të shumta, por çdoherë dolën faqebardhë. Mësuesit u torturuan, u burgo­sën, por asnjëherë s’u gjunjëzuan; ata e kryen misionin e tyre të shenjtë me nder dhe përkushtim. Mësuesi Nysret dhe të tjerët ishin ata që bën luftë midis dritës dhe errësirës dhe triumfuan. Ata sollën dritë, dituri e përparim të përgjithshëm në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri. Ashtu si historia e vendit tonë, edhe historia e arsimit dhe shkollës shqipe është shkruar me shumë sakrificë, me mundim e me gjak.

Nysret Sertolli me mbi dyzet vjet punë në rolin e edukatorit, punoi me devotshmëri dhe e kreu me përkushtim misionin e shenjtë në fshatin e tij të lindjes. Nuk ka gjë më fisnike sesa të jesh mësues, të mbjellësh dije dhe kulturë te brezi i ri. Këtë e bëri me dashuri e përkushtim mësues Nysret.

Librin të cilin e përgatiti është një punë madhështore dhe një shembull i mirë i cili frymëzon dhe nxit edhe të tjerët që të shkruajnë për shkollën ku kanë punuar. Hulumtimet e Nysretit për dijet dhe shkollat e këtyre fsha­trave përbëjnë një punë të përmasave kombëtare. I gjithë materiali i këtij libri përfaqëson vetëm një pjesë të shkurtër të punës së madhe që kanë bërë në këto vite mësuesit në këto fshatra. Mësuesit ishin dhe mbeten të shenjtë në të gjitha kohët pavarësisht sistemeve që shkuan dhe erdhën.

Për ta shkruar këtë libër Nysretit i është dashur shumë kohë dhe punë për të shfletuar dokumente për të kaluarën, për të kontaktuar me shumë mësues dhe ish-nxënës të gjeneratave të vjetra që kishin ndjekur mësimet në këto shkolla.

Libri ka shumë biografi të mësuesve që kanë dhënë kontributin qysh në vitet e para kur është hapur shkolla në Bellanicë e fshatrat përreth, si dhe shumë fotografi si dëshmi për të kaluarën dhe faksimile me vlerë. Për të shkruar një studim siç e ka bërë Nysreti, është dashur të punohet gjatë për grumbullimin e të dhënave. Dhe autori ka grumbulluar të dhëna nga ish-nxënësit, mësuesit e vjetër dhe arkivat e shkollave dhe ato komunale. Autori ka shkruar për zhvillimin e shkollave që nga hapja e tyre jo vetëm në Bellanicë, por edhe në fshatrat përreth. Libri është shkruar me gjuhë të rrjedhshme, me stil tërheqës dhe shumë atraktiv.

Libri i Nysretit, i cili po shkon në duar të lexuesve, është mishërim me një të kaluar të shkëlqyer në arsim, me një veprimtari të admirueshme në mjedisin ku ka vepruar dhe vazhdon të veprojë edhe sot, me përgjegjësi të madhe në jetën arsimore dhe kulturore në fshatin Bellanicë.

Autori i kësaj monografie ka shfrytëzuar literaturën e shkruar dhe gojore të mësuesve dhe ish-nxënëseve të këtyre shkollave. Ai është mbështetur në dëshmi dhe kujtime autentike të mësuesve dhe ish-nxënësve të këtyre shkollave. Ka publikuar edhe fotografi dhe dokumente të shumta dhe ka nxjerrë shumëçka të rëndësishme për këto shkolla. Në këtë libër shohim se nga këto shkolla ka dalë një plejadë shkollarësh që sot veprojnë dhe punojnë në profesione të ndryshme anembanë vendit. Ky libër padyshim jo vetëm që i bën nder Nysretit, por edhe vendlindjes së tij, Bellanicës dhe fshatrave përreth. Nder u bënë edhe nxënësve, miqve, shokëve të tij dhe gjithë atyre që janë të shënuar në këtë libër.

Ftoj lexuesin ta marrë në dorë këtë libër. Shumë njerëz në këtë libër do ta shohin fëmijërinë e tyre, edhe vetveten në fotografi kur ishin fëmijë.

Në fund me shumë kënaqësi e përgëzoj autorin për punën që ka bërë për publikimin e këtij libri.

Shënime për autorin:

Nysret Sertolli lindi më 2 dhjetor 1958 nga prindërit Ali dhe Razije Sertolli në Bellanicë të Malishevës. Tri klasat e para të fillores i kreu në vendlindje, tri të tjera në fshatin Banjë, dy klasat e fundit në Shkollën Fillore “Ismail Qemali” në Bellanicë. Në vitin shkollor 1974/75  regjistrohet në Akademinë Pedagogjike në Prizren, të cilën e mbaroi në vitin 1978. Në vitin akademik 1978/79 regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren, në Drejtimin Klasor. E përfundon më 30 qershor 1980 dhe merr titullin “Arsimtar klasor”. Kthehet në vendlindje dhe në vitinsh kollor 1980/81 punësohet mësimdhënës në Shkollën Fillore “Ismail Qemali” në Bellanicë. Po në vitin akademik 1980/81, pa shkëputje nga puna, regjistrohet në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë dhe në qershor të vitit 1981 i përfundon të gjitha provimet e vitit të parë. Më 30 qershor të vitit 1981 bastiset shtëpia e Nysretit nga policia dhe merret në paraburgim, pastaj në biseda të ashtuquajtura informative për çdo ditë në stacionet policore në Duhël, Suharekë dhe Prizren, që zgjatën katër muaj e gjysmë, me akuzën: “Për përhapje të propagandës armiqësore, shkrim të parullave ‘Kosova Republikë’, pjesëmarrje në demonstratat e 26 marsit, 1 e 2 prillit në Prishtinë, si dhe për vendosjen e flamujve më 28 nëntor në shkollë”. Më 5 korrik 1981, me urdhër të sigurimit shtetëror, suspendohet nga puna e mësimdhënësit dhe përjashtohet nga Fakulteti i Bujqësisë. I ndalohet komunikimi me çdo person tjetër, përveç me familje dhe policinë kur merret në biseda informative. Kjo gjendje zgjati deri më 20 nëntor, kur Gjykata e Gjakovës merr vendim që të kthehet në punë, ndërsa nuk i lejohet e drejta për të vazhduar në vitin e dytë në fakultet brenda një afati pesëvjeçar. Pas kthimit në shkollë vazhdon të japë kontribut me përkushtim këtë profesion, madje disa herë i jepen mirënjohje “Mësues i dalluar”. Gjatë gjithë kësaj kohe mbi dyzetvjeçare, përveç punës edukative me nxënës, ishte aktiv edhe në strukturat e ndryshme udhëheqëse në shkollë, fshat dhe komunë, duke dhënë për të mirën e nxënësve dhe qytetarëve. Ky është libri i tij i dytë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Romës, Jose Mourinho i akuzoi lojtarët e tij…