Botohet libri i ri i Mërgim Bekteshit

24 korrik 2025 | 13:35

Libri “Trashëgimia sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe të drejtës pozitive në Republikën e Kosovës” i autorit Mërgim Bekteshi ka dalë nga shtypi. Ky libër është rezultat i punimit të tij të magjistra­turës, përfunduar në vitin 2022 në Kolegjin AAB, udhë­hequr nga prof. dr. assoc. Majlinda Belegu dhe reda­ktuar gjuhësisht nga mr. sc. Hatixhe Abdullahu, profesoreshë e gjuhës shqipe në Ferizaj. “Pas përfundimit të mbrojtjes së temës kam bërë disa përmirësime dhe plotësime në tekst, gjithmonë duke ruajtur strukturën themelore. Ky studim përfaqëson një përpjekje të thellë kërkimore në fushën ndërdisiplinore të trashëgimisë, si nocion juri­dik, si koncept historik dhe si vlerë gjuhësore e kultu­rore. Gjatë hartimit të tij jam përpjekur me përpikëri që t’i respektoj burimet, t’i zbatoj referencat në përputhje me standardet akademike dhe të ndërtoj një rrëfim të bazuar në të dhëna, analiza dhe krahasime të qëndrue­shme”, ka shkruar autori në parathënien e librit dhe ka bërë me dije se “ajo që më ka shtyrë të botoj këtë libër është nevoja për t’i ofruar lexuesit shqiptar një trajtim të thelluar të çështjes së trashëgimisë jo vetëm si institucion ligjor apo si pjesë e së drejtës zakonore, por edhe si sfidë e pazgji­dhur e shoqërisë sonë bashkëkohore. Trashëgimia, e traj­tuar në këtë punim, paraqitet si një koncept me rrënjë të thella në të drejtën zakonore shqiptare, me theks të veçantë në Kanunin e Lekë Dukagjinit si dhe në të drej­tën pozitive, duke vënë theksin në rolin e saj në ndërti­min e drejtësisë sociale dhe barazisë gjinore”.

Ky libër synon të sjellë një kontribut modest, por të qëndrueshëm në literaturën juridike dhe kulturore shqip­tare, duke shpresuar se do të shërbejë si referencë për studiues, studentë, profesionistë të së drejtës dhe të gjithë ata që interesohen për marrëdhënien mes traditës dhe së drejtës moderne.

Libri është subvencionuar për botim nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e komunës së Lipjanit.

Shënime për autorin

Mërgim Bekteshi ka lindur në vitin 1977 në Lipjan. Ka ndjekur studimet për letërsi dhe drejtësi, ka ndërtuar një profil të gjerë profesional ndërmjet gazetarisë, arsimit dhe jurisprudencës. Ka qenë profesor në ShMP “Adem Gllavica” dhe nëpunës në komunën e Lipjanit. Që nga viti 2005 Bekteshi është pjesë e Policisë së Kosovës.

Veprimtaria e tij letrare dhe shkencore është e ndarë ndërmjet shkrimit juridik, kritikës letrare dhe studimeve kulturore. Ka botuar librat: “Shkrime për drejtësi dhe letërsi” dhe “Kundrime letrare”. Ky është libri i tij i tretë, i cili trajton një temë me rëndësi të veçantë juridike, historike dhe gjuhësore, duke u përqendruar në trashëgiminë dhe të drejtën zakonore shqiptare në Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Bekteshi ka publikuar dhjetëra shkrime kritike letrare dhe ese në Epoka e re, ObserverKult dhe ExLibris. Me këtë libër autori synon të ofrojë kontribut të qëndrueshëm për debatin mbi trashëgiminë, barazinë gjinore dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare në kontekstin bashkëkohor ligjor dhe shoqëror.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është e qartë se Qeveria e Kosovës po i injoron…