
Botohet libri “Interpretime (mbresa leximi)” i Sadik Krasniqit
Libri më i ri i poetit dhe kritikut Sadik Krasniqi, me titull “Interpretime (mbresa leximi)”, ka dalë nga shtypi, nga shtëpia botuese “Armagedoni”, me mbështetjen materiale të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Vlerësim për këtë libër ka dhënë Liridona Shehu, e cila ka shkruar: “Kur të bie në dorë një përmbledhje mbresash si kjo e Sadik Krasniqit nuk mund ta ndash kufirin e poetit dhe kritikut, të një poeti që, pos të shkruajë, di edhe të lexojë, të kuptojë, të interpretojë dhe vlerësojë; të një kritiku që e di shumë mirë se si duhet lexuar e kuptuar një vepër poetike, një prozë, një roman, një këngë apo një fabul”.
Ndër të tjera, Shehu ka shprehur edhe këto mendime për këtë libër: “I familjarizuar me termat letrarë dhe nxjerrjen e kuptimit të tyre, lexues special për zbërthim të teksteve poetike, Krasniqi sikur na shtron para një brumë interpretimesh me finesë në çdo mendim dhe fjali, në çdo vlerësim dhe kritikë, në çdo varg e rresht, duke e shfaqur bagazhin e tij të kamotshëm si shkrues dhe lexues.
Letërsia është si lumë i rrëmbyeshëm, që sa të merr me vete e sa të kthen në vendin e burimit, por jo të gjithë ia dalim të bëjmë kritikë në shumë zhanre letrare.
Sadik Krasniqi sikur ka dalë nga burimi dhe e ka zënë rrjedhën e lumit, ka lexuar e shkruar për poezinë, simfoninë e revoltën lirike, epikën, ditarin, metaforën, Semantikën, semiotikën, estetikën, rrëfimin, sekuencat fabulare, letrat e burgut, këngën si muzikë e shpirtit, pikturën e portretin si art i të bukurës dhe postmodernitetin… gjë që do shumë kohë, shumë energji e shumë mund.
T’i mbledhësh me një sofër veprat e Shaip Beqirit, Arif Molliqit, Arif Bozaxhiut, Enver Visokës, Bujar Salihut, Valdete Berishës, Fran Tanushit, Naim Fetajt, Salih Halitit, Sevëme Fetiqit, Anisa Mulollit, Nurie Zekajt, Naim Frashërit, Zhak Preverit, Albina Idrizit, Avni Alisë, Martin Çunit, Avdush Eminit, Driton Gashit, Ali Berishës, është nismë që e marrin guximtarët, në këtë rast guximi dyfishohet kur bëhet fjalë për zhanre të ndryshme letrare që janë lexuar e interpretuar si mbresa kaq të veçanta që ka ditur të na i paraqesë Sadik Krasniqi”.