Botohet romani i Muhamet Ajetit, “NovaGen: infeksioni”
Ka dalë nga shtypi, nga shtëpia botuese “Armagedoni”, trilogjia e parë e romanit “NovaGen: infeksioni” e prozatorit Muhamet Ajeti.
“NovaGen: infeksioni” është një roman tronditës, me tension psikologjik dhe i mbushur me mister. Në qendër të ngjarjes është një shpërthim epidemik i shkaktuar nga një virus i krijuar në laborator, një projekt i quajtur “NovaGen”, që del jashtë kontrollit dhe përhapet në mënyrë të shpejtë te njerëzit.
Eksperimentet mjekësore që synojnë “perfeksionimin” e njeriut përfundojnë duke krijuar një armik të ri: infeksionin që transformon trupin dhe mendjen, duke shkatërruar kufirin mes njeriut dhe krijesës.
Stili i të shkruarit është i qartë, i ngarkuar me emocione dhe hollësi që i japin jetë ngjarjes. Dialogët mes personazheve janë të ngjeshur dhe shpesh bartin tension dramatik, ndërsa përshkrimet e ambientit – laboratorit, qytetit dhe gjendja fizike e të infektuarve – krijojnë një ndjesi reale rreziku dhe ankthi.
“NovaGen: infeksioni” është një roman që nuk ofron vetëm një histori tronditëse dhe të mbushur me aksion, por edhe një analizë të thellë mbi natyrën njerëzore, pasojat e arrogancës shkencore dhe frikën kolektive nga e panjohura.
Shënime për autorin
Muhamet Ajeti ka lindur më 1993 në Prishtinë. Para se t’i bashkohej varganit të shkrimtarëve është marrë me muzikë, e cila përvojë ka ndikuar në ndjeshmërinë ritmike dhe atmosferike në rrëfimin e tij. Me romanin “Infeksioni”, librin e parë të serisë “NovaGen”, ai ndërton një botë trillimore post-apokaliptike, të errët, të tensionuar dhe të paparashikueshme.



