
BQK-ja, Ambasada Gjermane dhe GIZ-i diskutojnë mbi iniciativën për avancimin e infrastrukturës së sistemit financiar
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga zëvendësguvernatori, Dardan Fusha, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Ambasadës Gjermane dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH në Kosovë.
Delegacioni u udhëhoq nga Daniel Alker, shef i Bashkëpunimit në Ambasadë dhe David Oberhuber, drejtori i GIZ-it Kosovë.
Takimi u fokusua në inicimin e projektit për modernizimin e infrastrukturës së sistemit financiar dhe zgjerimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet financiare.
Guvernatori Ismaili ofroi informacione mbi zhvillimet e fundit në sektorin financiar, reformat në vazhdim të BQK-së, si dhe progresin e arritur në realizimin e objektivave të Planit Strategjik.
Diskutimet u përqendruan në projektin që synon forcimin dhe modernizimin e mëtejshëm të BQK-së dhe infrastrukturës së sistemit financiar, në përputhje me objektivat e Planit Strategjik të BQK-së.
Përfaqësuesit e institucioneve gjermane shprehën angazhimin për të bashkëpunuar me BQK-në në këtë projekt, në përputhje me objektivat e Qeverisë Gjermane për mbështetjen e zhvillimit të sektorit financiar në Kosovë.
Të dy palët konfirmuan angazhimin për të vazhduar diskutimet për përgatitjen e marrëveshjes së projektit dhe aranzhimeve të tjera teknike të nevojshme për zbatimin e suksesshëm të tij.