BQK-ja dhe bankat diskutojnë për modernizimin e sistemeve të pagesave

21 maj 2026 | 12:03

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe përfaqësues të bankave komerciale, organizoi një punëtori të fokusuar në afatet e zbatimit dhe përgatitjet teknike lidhur me platformën e pagesave të shpejta (TIPS Clone), zbatimin e Ligjit të ri për Shërbimet e Pagesave, si dhe përgatitjet operacionale për integrimin e ardhshëm në SEPA.

Punëtoria mblodhi përfaqësues nga BQK-ja, sektori bankar dhe ekspertë ndërkombëtarë të angazhuar në projektet e modernizimit të sistemeve të pagesave.

Diskutimet u fokusuan në gatishmërinë operacionale, koordinimin teknik, sigurinë kibernetike, interoperabilitetin, menaxhimin e likuiditetit, masat për parandalimin e mashtrimeve, qëndrueshmërinë kibernetike, si dhe harmonizimin me standardet evropiane dhe kornizën rregullative në fushën e pagesave.

Gjatë diskutimeve, theks i veçantë iu kushtua koordinimit të ngushtë ndërmjet BQK-së, bankave, ofruesve të shërbimeve të pagesave jo banka dhe ofruesve tjerë të shërbimeve teknike, si dhe partnerëve ndërkombëtarë, me qëllim të sigurimit të një zbatimi efikas, të sigurt dhe të qëndrueshëm të fazës së ardhshme të modernizimit të infrastrukturës së pagesave dhe reformave rregullative në Kosovë.

Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare, Dardan Fusha, theksoi se modernizimi i sistemeve të pagesave dhe zbatimi i kornizës së re për shërbimet e pagesave përfaqësojnë ndër projektet më të rëndësishme transformuese për sektorin financiar në Kosovë, duke kontribuar drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve financiare më të shpejta, më të sigurta, më të qasshme dhe më efikase për qytetarët dhe bizneset.

Ai theksoi më tej se këto reforma pritet të forcojnë përfshirjen financiare, të zgjerojnë qasjen në shërbimet financiare digjitale, të mbështesin konkurrencën dhe inovacionin në tregun e pagesave, duke avancuar njëkohësisht mbikëqyrjen, qëndrueshmërinë operacionale, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e konsumatorit në të gjithë sektorin financiar.

BQK-ja mbetet e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me sektorin bankar, institucionet jobankare të shërbimeve të pagesave, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë përgjatë zbatimit të projekteve që lidhen me modernizimin e sistemeve të pagesave, përfshirjen financiare dhe integrimin financiar Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rihana Jashari nga Prishtina, shpall të pavlefshme deftesen e klases…