BQK-ja dhe MFT-ja diskutojnë planin e rimëkëmbjes ekonomike me drejtuesit e bankave komerciale

28 maj 2020 | 15:21

Me ftesë të guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti dhe ministrit në detyrë të Ekonomisë dhe Transfereve (MFT), Besnik Bislimi është organizuar një takim i përbashkët me të gjithë drejtuesit e bankave komerciale që operojnë në Kosovë.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i zhvillimeve dhe masave të deritanishme për të ndihmuar përballjen e ekonomisë me pasojat e shkaktuara nga pandemia Covid-19, si dhe diskutimi i planit të rimëkëmbjes së ekonomisë për periudhën në vijim.

Me këtë rast, guvernatori i BQK-së, ka  vlerësuar lart konstruktivitetin e treguar nga sektori bankar gjatë kësaj periudhe, duke iu përgjigjur pozitivisht nevojave të ekonomisë përmes lehtësimeve që ju kanë bërë huamarrësve.

Guvernatori Mehmeti ka shprehur bindjen se sektori bankar, i cili gëzon një shkallë të lartë të qëndrueshmërisë dhe potencial për të rritur edhe më tej kreditimin e ekonomisë, do të luajë një rol kyç gjatë fazës së rimëkëmbjes ekonomike duke shërbyer si partner i besueshëm i institucioneve, në përpjekjet për të ndihmuar rikuperimin dhe zhvillimin e mëtejmë ekonomik të vendit.

Vlerësim të lartë për punën e sektorit bankar gjatë kësaj periudhe, ka shprehur edhe ministri në detyrë i MFT-së Besnik Bislimi, i cili së bashku me zëvendësministrin Ilir Aliu, kanë prezantuar para drejtuesve të bankave edhe planin për rimëkëmbje ekonomike, i cili po përgatitet nga një grup punues që përfshin përfaqësues të Qeverisë, BQK-së dhe bizneseve.

Në thelb të këtij plani gjendet skema për garantimin e kredive, përmes së cilës synohet rritja e financimit kreditor dhe përmirësimi i kushteve të financimit për bizneset dhe individët.

Nga ana tjetër, Albert Lumezi, kryetar i Bordit të Shoqatës së Bankave të Kosovës, ka shprehur falënderimin për reagimin e shpejtë të BQK-së për sa i përket masave rregullative në raport me menaxhimin e situatës së krijuar gjatë pandemisë, si dhe mirëpriti iniciativën për krijimin e planit të rimëkëmbjes ekonomike, duke shfaqur gatishmërinë e sektorit bankar për të kontribuuar në këtë proces.

Të gjitha palët janë pajtuar për ta vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në procesin e finalizimit të planit të rimëkëmbjes ekonomike dhe për domosdoshmërinë e fillimit sa më të shpejtë të implementimit të një plani të tillë në mënyrë që të minimizohen pasojat ekonomike të pandemisë dhe të ndihmohet rimëkëmbja dhe zhvillimi ekonomik i vendit. (L.G/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësueses së Kosovës në hendboll (femrat) i janë anuluar katër…