BQK-ja dhe Oda Ekonomike diskutojnë për zgjerimin e bashkëpunimit

09 tetor 2025 | 11:57

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka pritur në takim zyrtar kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, me bashkëpunëtorë.

Në hyrje të takimit, guvernatori Ismaili e informoi Rafunën lidhur me aktualitetet e sektorit financiar, stabilitetit financiar si dhe treguesit kyç të sistemit financiar, si dhe angazhimin e BQK-së në krijimin e politikave të qëndrueshme që krahas rritjes së qëndrueshmërisë së sektorit kontribuojnë në qasjen në financa, edukimin dhe gjithëpërfshirjes financiare.

Tutje, u diskutua për veprimet e ndërmarra nga BQK-ja në drejtim të avancimit të kornizës ligjore, rregullative dhe infrastrukturore, duke përfshirë çështjen e procesit të pritshëm të anëtarësimit në SEPA, projektin e pagesave të shpejta (TIPS Clone), projekte të cilat për shkak të përfitimeve për ekonominë, u mirëpriten dhe mbështeten nga ana e OEK-ut.

Gjithashtu, u diskutua për kornizën rregullative të sektorit financiar, mundësitë aktuale të qasjes në financa, ndërsa u përmend nevoja e biznesit për avancimin e rregullativës për të mundësuar kanale alternative të financimit përmes tregut të kapitalit, disponueshmerinë e të dhënave të publikuara mbi ekonominë dhe sektorin financiar të cilat mund të shfrytëzohen nga shoqatat e biznesit në aspekt të promovimit të investimeve të huaja.

Nisma konkrete lidhur me organizime të përbashkëta u konstatuan si aktivitete me interes të ekonomisë.

Nga ana e tij, kryetari i OEK-ut prezantoi aktivitetet e ndërmarra për promovimin e ekonomisë së Kosovës tek investitorët dhe platformat e ndryshme rajonale dhe vendore, ndërsa falënderoi Guvernatorin Ismaili për përkushtimin në diskutimin rreth qasjes në financa për bizneset si dhe për qëndrueshmërinë e sektorit financiar, si një nga segmentet e rëndësishme të vendit.

Takimi është në vazhdën e avancimit të dialogut institucional me organizatat profesionale dhe palët e interesit në fushat me interes të përbashkët publik, derisa u theksua nevoja për një komunikim të vazhdueshëm në nivel të dy organizatave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përshëndetur marrëveshjen Izrael-Hamas të…