BQK-ja mban punëtorinë informuese mbi kornizën rregullative për licencimin e operatorëve të shërbimeve të kripto-aseteve
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka organizuar punëtorinë informuese me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe palëve të interesit në fushën e kripto-aseteve, me fokus prezantimin e kornizës rregullative për licencimin e operatorëve të shërbimeve të kripto-aseteve me aktivitet këmbimi.
Drejtori i Departamentit për Mbikëqyrjen e Tregjeve, IMF, IFJB, IP, IPE dhe Kripto-aseteve, Sokol Shasivari, duke hapur punimet e kësaj punëtorie, prezantoi kornizën rregullative dhe adresoi pritjet mbikëqyrëse të BQK-së, si dhe hapat e radhës në procesin e licencimit.
Përfaqësuesit e BQK-së theksuan se rregullimi i këtij segmenti do të zhvillohet në mënyrë graduale dhe të kujdesshme nga BQK-ja, me qëllim integrimin e aktiviteteve të kripto-aseteve në një mjedis të licencuar dhe të mbikëqyrur, duke ruajtur stabilitetin financiar të vendit dhe mbrojtjen e konsumatorit në veçanti.
Rregullorja për Licencimin e Operatorëve të Shërbimeve të Kripto-Aseteve, e miratuar nga BQK-ja në bazë të Ligjit Nr. 08/L-295 për Kripto-Asetet dhe e harmonizuar me parimet e kornizës së BE-së për Tregjet e Kripto-Aseteve (MiCA), vendos themelet për krijimin e një tregu të rregulluar dhe transparent të kripto-aseteve në Kosovë. Kjo përfshin si këmbimin e kripto-aseteve, qoftë me paratë fiat (përfshirë ATM-të) apo me kripto-asete të tjera, brenda një kornize të qartë ligjore dhe mbikëqyrëse, gjë që shënon hapin e parë drejt licencimit të operatorëve të kripto-aseteve, ndërsa do të pasohet nga zhvillime të tjera rregullative në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori
Gjatë punëtorisë u prezantuan elementet kryesore të kësaj kornize, përfshirë:
• Kriteret për aplikim, marrje dhe mirëmbajtje të licencës;
• Kërkesat prudenciale, përfshirë qeverisjen korporative dhe kërkesat për kapital;
• Detyrimet për transparencë ndaj klientëve dhe veprim me ndershmëri dhe profesionalizëm;
• Zbatimi i masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT); dhe
• Masat korrigjuese dhe administrative që aplikohen në rast të mospërmbushjes së kërkesave rregullative.
U trajtua gjithashtu faza pas licencimit, ku operatorët e kripto-aseteve do t’i nënshtrohen mbikëqyrjes së vazhdueshme nga BQK-ja, me fokus në respektimin e kritereve prudenciale dhe mbrojtjen e fondeve të klientëve.
Gjatë punëtorisë u potencua se kjo qasje është zhvilluar në komunikim dhe informim edhe të autoritetet të tjera përgjegjëse brenda vendit dhe me mbështetjen teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në kuadër të përpjekjeve për forcimin e kornizës ligjore dhe mbikëqyrëse në fushën e kripto-aseteve.
Në përmbyllje të punëtorisë, u theksua se BQK mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të kornizës ligjore dhe mbikëqyrëse, ruajtjes së stabilitetit financiar si dhe nxitjes së zhvillimit të një tregu të qëndrueshëm të kripto-aseteve në Kosovë, duke garantuar transparencë, integritet të tregut dhe mbrojtje të konsumatorit, në pajtim me praktikat më të mira evropiane.



