BQK-ja pjesëmarrëse në Takimin e Konstituencës së FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore në Pragë
Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Dardan Fusha, mori pjesë në takimin e radhës të Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore, të mbajtur në nivel te zëvendësve, në Pragë të Republikës Çeke, ku morën pjesë përfaqësues të bankave qendrore dhe ministrive të financave nga vendet anëtare të Konstituencës, përfshirë Austrinë, Belgjikën, Republikën Çeke, Hungarinë, Kosovën, Luksemburgun, Sllovakinë, Slloveninë dhe Turqinë.
Takimi u zhvillua në një periudhë të karakterizuar nga ndryshime të rëndësishme në ekonominë globale, pas një varg sfidash të njëpasnjëshme, përfshirë pandeminë Covid-19, konfliktet gjeopolitike, vazhdimin e pasigurive në tregjet ndërkombëtare, sigurinë energjetike dhe tranzicionin drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe ndryshimet dhe ndërprerjet në zinxhirët globalë të furnizimit.
Diskutimet u përqendruan në zhvillimet aktuale ekonomike dhe financiare globale, perspektivën makroekonomike, forcimin e reziliencës së ekonomive, si dhe rolin e institucioneve financiare ndërkombëtare në mbështetjen e reformave dhe përballimin e sfidave të reja.
Gjatë takimit u vlerësua rëndësia e institucioneve të qëndrueshme, qeverisjes së mirë dhe politikave të kujdesshme ekonomike, si faktorë kyç për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm.
Në këtë kuadër, u diskutuan edhe përvojat e vendeve anëtare me programet dhe vlerësimet e ofruara nga FMN dhe Banka Botërore, përfshirë Programet e Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), të cilat të shoqëruara me asistenca specifike teknike, kontribuojnë në forcimin e kuadrit të stabilitetit financiar, mbikëqyrjes financiare, menaxhimit të krizave dhe përgatitjes institucionale ndaj rreziqeve të reja.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e përshtatjes së vazhdueshme të politikave dhe kornizave institucionale me zhvillimet e reja, përfshirë digjitalizimin e ekonomisë, inovacionet financiare, rreziqet që lidhen me teknologjitë e reja, si dhe ndikimet e tranzicionit të gjelbër dhe ndryshimeve klimatike në stabilitetin financiar.
Në kuadër të diskutimeve, u vlerësua pozitivisht progresi i Kosovës në zbatimin e programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, përfshirë Marrëveshjen Stand-By (SBA) dhe Programin për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri (RSF).
Programi RSF, si instrumenti i parë i këtij lloji i aprovuar nga FMN në Evropë, ka mbështetur reformat afatgjata të Kosovës në drejtim të forcimit të reziliencës ekonomike, tranzicionit energjetik dhe përmirësimit të kornizave institucionale për përballimin e sfidave të ardhshme.
Zbatimi i suksesshëm i këtyre programeve ka kontribuar në forcimin e besimit të partnerëve ndërkombëtarë dhe mbështetjen e reformave strukturore.
Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua rëndësia e investimeve në infrastrukturë kritike, lidhjeve rajonale dhe integrimit ekonomik, me theks në rolin e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, transformimit digjital dhe integrimit me infrastrukturat evropiane si faktorë për rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin afatgjatë.
Takimi përfundoi me rikonfirmimin e rëndësisë së bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet vendeve anëtare të Konstituencës dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, me qëllim shkëmbimin e përvojave, koordinimin e politikave dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme, duke rritur gatishmërinë institucionale për përballimin e pasigurive dhe rreziqeve të reja të mundshme, përfshirë ato që lidhen zhvillimet gjeopolitike, por edhe me sigurinë kibernetike dhe ndikimin e mundshëm të teknologjive të avancuara, si inteligjenca artificiale dhe kompjuterëve kuantik.



