BQK-ja vlerësohet për avancimin e reformave institucionale, zhvillimin e sektorit financiar dhe forcimin e qëndrueshmërisë

22 maj 2025 | 15:15

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka miratuar rishikimin e IV-të të Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Programit për Rezilencë dhe Qëndrueshmëri (RSF), duke konstatuar përfundimin me sukses të objektivave të të dy programeve, mbi bazën e performancës së fortë të dëshmuar dhe vlerësuar.

Në njoftimin e FMN-së, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) po udhëheq me përkushtim zbatimin e reformave të rëndësishme për përmirësimin e qeverisjes dhe cilësisë institucionale, zhvillimin e mëtejshëm të sektorit financiar dhe forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike të vendit.

Raporti i publikuar lidhur me këtë rishikim thekson se BQK-ja ka bërë përparim të rëndësishëm në forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar.

BQK-ja ka rishikuar Rregulloren e Punës të Bordit të saj, ka zbatuar riorganizimin e brendshëm, ka miratuar planin trevjeçar për zbatimin e Procesit të Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP) për të përmirësuar mbikëqyrjen bankare dhe ka përmirësuar kërkesat për raportimin e të dhënave për regjistrin e kredive.

Për më tepër, Ligji për Bankat, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në dhjetor të 2024-s, por më pas i kontestuar në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, do të ndihmojë në përmirësimin e kritereve të licencimit dhe qeverisjes korporative, forcimin e kompetencave mbikëqyrëse të BQK-së dhe fuqizimin e mekanizmave për përmbylljen e bankave që përballen me sfida për të ushtruar aktivitetin e tyre.

Tutje, FMN-ja thekson se reformat në vijim do të ndihmojnë në forcimin e rregullimit dhe mbikëqyrjes financiare, mbikëqyrjes së rrezikut sistemik, gatishmërisë për përballimin e krizave dhe proceseve dhe mekanizmave institucionale, me qëllim të ruajtjes së qëndrueshmërisë financiare. “Sektori bankar vazhdon të zgjerohet me shpejtësi duke ofruar mbështetje thelbësore për aktivitetin ekonomik, ndërsa ruan një nivel të lartë të kapitalizimit, likuiditetit dhe profitabilitetit. Bankat janë të përgatitura për të përmbushur kërkesat e reja rregullative të kapitalit pas miratimit të masave makroprudenciale në shtator 2024. Këto instrumente ndihmojnë për krijimin e shtesave mbrojtëse, përfshirë përmes shtimit të kapitalit apo emetimit të borxhit të varur”, thuhet në raportin e FMN-së.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe zhvillimit të sistemit rajonal të pagesave të shpejta (TIPS Clone).

Gjithashtu, FMN-ja ka vlerësuar se iniciativat e fundit, përfshirë llogarinë bankare me shërbime bazike (pa tarifa) dhe platformën online për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare, kanë sjellë përfitime për konsumatorët, duke rritur konkurrencën dhe edukimin financiar.

BQK-ja falënderon FMN-në për bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik, ndërsa mbetet e përkushtuar në rolin e saj si garantuese e stabilitetit financiar dhe mbështetëse e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot (e enjte) janë bërë 26 vjet nga masakra në…