
Brazili, 965 viktima nga koronavirusi për 24 orë
Gjatë 24 orëve të kaluara në Brazil janë regjistruar 965 të vdekur nga koronavirusi, duke e çuar në 22 013 numrin e përgjithshëm të viktimave.
Përpos viktimave, gjatë kësaj periudhe u shënua edhe një numër i lartë i të infektuarve, 16 508. Kështu, numri i përgjithshëm i të prekurve shkoi në 347 398 dhe Brazili ia zuri vendin e dytë Rusisë në listën e shteteve me më së shumti raste në botë.
Megjithatë, numri i vërtetë i infektimeve dhe rasteve fatale besohet të jetë edhe më i madh se shifrat zyrtare për shkak të mungesës së kapaciteteve të kufizuara për testim, shkruan “Reuters”, transmeton Express.
Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, është kritikuar ashpër për menaxhimin e situatës së pandemisë që ka shkaktuar largimin e dy ministrave të Shëndetësisë për shkak të qëndrimit të tij kundër masave kufizuese.
Popullariteti i presidentit ka shënuar rënie në kohën kur vendi po përballet me krizë shëndetësore, e cila ka nxitur rrjedhimisht edhe krizë ekonomike dhe krizë politike.