Brenda tre muajsh do të ndërtohet qendra për personat me nevoja të veçanta në Skenderaj
Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka bërë me dije të enjten, se brenda tre muajsh do të ndërtohet qendra për personat me nevoja të veçanta në këtë komunë.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që, ashtu siç kam premtuar, po fillojmë ta jetësojmë projektin për ndërtimin e qendrës për personat me nevoja të veçanta të komunës sonë falë marrëveshjes së bashkëfinancimit që sot nënshkrova me drejtorin e Shoqatës ‘Qëndresa Kosovare’, Islam Cakaj. Kështu brenda tre muajve personat me nevoja të veçanta të komunës sonë do të kenë qendrën e tyre rehabilituese me një objekt modern, me salla të rehabilitimit fizik, trajtimit psiko-social, trajnimit dhe përgatitjes së tyre profesionale për tregun e punës”, ka thënë kryetari Jashari.
Ai ka falënderuar shoqatën “Qëndresa Kosovare” për këtë donacion dhe donacionet e tjera të ofruara për këtë komunë nga shteti i Katarit. Jashari ka thënë se në komunën që drejton do të krijohen kushte të barabarta të jetës për secilën kategori sociale.



