
Brezit të fundit të normalistëve të Normales të Prishtinës, me rastin e 50-vjetorit të diplomimit
Skënder Karaçica
Figura e Mësuesit është mision për arsimin dhe shkollën shqipe (Profesor Eqrem Çabej)
Në Prishtinë, erdhën pas pesëdhjetë pranverave të udhës së jetës në mision të arsimit e të shkollës shqipe, normalistët e Normales në Prishtinë, që të kremtojnë 50-vjetorin e diplomimit. Erdhën të thinjur me borën e bardhë të flokëve të jetës, do të thoshte Dritëro Agolli, që të kthejnë orën e kujtesës për kohën kur djalmenia shqiptare nga të gjitha viset shqiptare, erdhën që të mësojnë e të bëhen gati për udhën e mësuesit të Abetarës të shkollës shqipe në hapësirën shqiptare.
Erdhën përsëri në klasat e mësimit, brezi i normalistëve të Normales së Prishtinës (1971-1975) për të kujtuar kohën e mësimit dhe të profesorëve tanë, që tashmë në amshim: Profesorët Ruzhdi Kastrati, Besnik Spahiu, Hajdar Rrecaj, Ëngjell Berisha, Nexhat Ibrahimi, Malush Kadriu, Tefik Gecaj, Ditar Qamili, Faik Kaba, Mithat Sahiti, Zekije Kada, Bajram Trashupa, Hylkije Randobrava. Alije Vokshi dhe profesorët tjerë. Në jetë e kemi profesorin e dashur Muhamet Shatri, i cili jeton në Suedi si mërgimtar dhe, kujtesa kur në orët e historisë, më taktin dhe ligjërimin me tipare shkencore, sikur dëshironte “të na bëj historianë” normalistët në Prishtinë!
Në këtë përvjetor, nuk munguan fotografi të shumta të normalistit dhe, në punët e redaktorit të lajmeve në RTK-së, Asllan Bajrami në Prishtinë si dhe shkrimi ekskluziv i Ragip Gjoshi, na afroi panoramën e kohës së normalistëve të Normales, që, përmes kujtesës time nuk i kisha harruar, ndonëse tash e sa vjet larg atdheut në Amerikën e largët. Këtu kishin ardhur shoqet dhe shokët e klasës: Sadije Rashiti, Zyla Plakiqi, Bukurije Thaqi, Merrushe Gjoshaj, Adnan Bylykbashi, Aziz Bajraktari, Ragip Gjoshi, Riza Plakiqi, Naxhije Sadiku, Asllan Bajrami, Sabrie Rukiqi, Enver Krasniqi, Shaban Gashi, Skënder Karaçica dhe, disa të tjerë për shkak të kohës në udhët e jetës, paksa i kisha harruar. Më falni që këtu kujtesa ime më bëri paksa hile e, mbeta sy me sy me udhët e jetës,herë larg e herë afër me diellin e atdheut…!
Ndonëse larg atdheut, asnjëherë nuk pashë asnjë ëndërr në Amerikë! Ëndrrat me çonin shpesh e shumë shpesh në Drenicën time për plisat dhe lisat e trimërisë së pushkëve të djalmenisë së UÇK-së për Liri të Kosovës…! Po plakem ngadalë, kështu bënte uratë për brezin tonë, profesor Anton Çetta: U plakshi ngadalë, brezi i ri shqiptar i Kosovës…!
Brezi im i normalistëve të Normales në Prishtinë, uroj shëndet dhe gjithë të mirat në familje për nipa e mbesa dhe, puna e misionit të Mësuesit do të shënohet në kronikat e analeve të historisë së arsimit dhe të shkollës shqipe në Kosovë!
Çikago, më 19 maj 2025