“Brisku i berberit kaloi mbi votën e qytetarëve”, reagim i fortë i Ismailit ndaj zgjedhjeve
Ish-deputetja e Kuvendi i Kosovës, Besa Ismaili, ka reaguar lidhur me procesin zgjedhor të fundit, duke akuzuar institucionet për mungesë përgjegjësie dhe hetimesh ndaj pretendimeve për manipulim votash.
Sipas saj, fakti që nuk ka komisionerë të dënuar dhe se persona të përfolur për parregullsi mund të rikthehen sërish në detyrë, tregon një situatë të thellë pandëshkueshmërie.
Ismaili thekson se, në mungesë të vendimeve konkrete dhe hetimeve serioze, sistemi në mënyrë indirekte po e legjitimon manipulimin zgjedhor.
Postimi i saj i plotë në Facebook:
Si po e legalizon/legjitimon sistemi manipulimin me vota në zgjedhjet e fundit?
S’ka komisionerë të dënuar.
Të njëjtët njerëz që u përfolën për manipulim votash mund të rikthehen prapë komisionerë, sepse nuk ka asnjë vendim, asnjë përgjegjësi.
S’ka as deputetë të intervistuar. Askush nuk u mor seriozisht në pyetje për atë që ndodhi.
Pra, përkthimi është i thjeshtë:
vjedhje masive votash mes kandidatëve në zgjedhjet parlamentare, dhe një pandëshkueshmëri po aq masive.
Kur sistemi nuk ndëshkon askënd, ai në fakt po e legalizon manipulimin.
Demokracia nuk shkatërrohet vetëm nga ata që vjedhin vota, por edhe nga ata që bëjnë sikur nuk e shohin.
“Më rrove- të rrova”, thotë populli. Por këtë herë, brisku i berberit kaloi mbi votën e qytetarëve.



