Britania mirëpret ujdinë mes Kosovës dhe BE-së për zbatimin e Ligjit për të huajt
Mbretëria e Bashkuar tha se mirëpret marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian lidhur me zbatimin e Ligjit për të huajt.
Më 14 mars, Qeveria e Kosovës u pajtua që të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe të njohë letërnjoftimet e pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës në Ligjin për të huajt dhe për automjetet, që nisi të zbatohet nga 15 marsi.
Vendimi u bë publik pas një takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
“Marrëveshja respekton kornizën ligjore të Kosovës, duke ofruar zgjidhje praktike që mundësojnë që të gjitha komunitetet të jetojnë, punojnë dhe studiojnë ligjërisht në Kosovë, pa ndërprerje të shërbimeve. Ne mirëpresim zotimin e kryeministrit Kurti për të zbatuar ligjin dhe planet e tij të ardhshme që prekin komunitetin serb të Kosovës, në koordinim të ngushtë me BE-në dhe komunitetin”, shkroi në Facebook ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves.



