Britania shkon në zgjedhje më 4 korrik, Sunak i kërkon Mbretit shkrirjen e Parlamentit

22 maj 2024 | 20:17

Zgjedhjet e parakohshme në Britani do të mbahen më 4 korrik. Kryeministri Rishi Sunak me një lëvizje surprizuese ka njoftuar pas mbledhjes së kabinetit qeverisës në Downing Street se më herë kishte folur me Mbretin Charles duke kërkuar shpërndarjen e parlamentit përpara zgjedhjeve të përgjithshme.

Tani është momenti që Britania të zgjedhë të ardhmen e saj. Të vendosim nëse duam të ndërtojmë mbi përparimin që kemi bërë, ose të rrezikojmë e të kthehemi në fillim pa plan dhe pa siguri. Zgjedhjet do të bëhen në një kohë kur bota është më e rrezikshme sesa ka qenë që nga fundi i Luftës së Ftohtë”, tha Sunak në fjalimin drejtuar kombit.

Pritej që pas një fjalimi në Westminster pak kohë më parë, Sunak të favorizonte partinë e tij duke caktuar datën e zgjedhjeve për në gjysmën e dytë të vitit 2024, duke i dhënë më shumë kohë Konservatorëve për të ngushtuar diferencën në sondazhe me Laburistës, që shkon në rreth 20 pikë përqindje.

Por brenda radhëve të qeverisë ka pasur presion që zgjedhjet të zhvilloheshin në verë.

Sunak në fjalën e tij u kërkoi britanikëve që të votojnë për partinë që ka një plan të qartë, referuar asaj Konservatore, dhe argumentoi se Laburistët nuk kanë një plan, duke thënë se “e ardhmja mund të jetë e pasigurt me ta” në krye të shtetit.

“Shpresoj që puna ime që kur jam bërë kryeministër të tregojë se ne kemi një plan dhe jemi të përgatitur për të ndërmarrë veprime të guximshme të nevojshme që vendi ynë të lulëzojë. Unë kam qenë gjithmonë i sinqertë me ju për atë që nevojitet, edhe kur kjo ka qenë e vështirë, sepse jam udhëhequr duke bërë atë që është e drejtë për vendin tonë, jo atë që është e lehtë. Nuk mund të them të njëjtën gjë për Laburistët, sepse nuk e di se çfarë ofrojnë.”

Në fund, Sunak theksoi se ai personalisht do të “luftojë për çdo votë” gjatë fushatës duke premtuar se do të sigurojë stabilitetin ekonomik dhe do “të rivendosë krenarinë dhe besimin në vend”.

Data e zgjedhjeve nga Sunak njoftohet në një kohë kur epërsia e Partisë Laburiste të drejtuar nga Sir Keir Starmer ndaj Partisë Konservatore në pushtet, u zgjerua në 18 pikë përqindjeje, sipas një sondazhi të botuar të shtunën.

Ky sondazh nga instituti i Kërkimeve Opinium parashikon që Laburistët të marrin 43% të votave, krahasuar me 25% që do të shkojnë për konservatorët. Një sondazh i mëparshëm nga i njëjti institut shihte Laburistët si kryesues me 16 pikë.

Liderët e dy partive e kanë kthyer tani ekonominë në temën kryesore të  betejës zgjedhore. Sipas sondazhit të Opinium, laburistët kanë një epërsi në debatin mbi çështjet ekonomike, me votuesit që supozojnë se do të përmirësojnë shërbimet publike dhe do të përmirësojnë gjendjen e ekonomisë britanike.

Një tjetër sondazh i YouGov, i kryer në emër të gazetës The Times dhe i botuar më 9 maj, i vendosi laburistët përpara me një diferencë shumë më mbresëlënëse, rreth 30 pikë përqindje.

Konservatorët kanë qenë në qeveri, qoftë si një parti e madhe e koalicionit ose më vete, që nga viti 2010. Kjo periudhë është shënjuar me kriza historike, përfshirë edhe Brexit, apo pandeminë e koronavirusit, ndërkohë që nuk kanë munguar grindjet e brendshme partiake, që kanë bërë që Britania të qeveriset në vitet e fundit nga pesë kryeministra konservatorë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këtë të mërkure kanë diplomuar 15 kadetë të Forcës së…