Britania ul 40 % fondet për Ballkanin Perëndimor në luftën kundër kërcënimit rus
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka reduktuar ndjeshëm fondet e dedikuara për Ballkanin Perëndimor, pavarësisht paralajmërimeve se rajoni ndodhet në vijën e parë të përballjes kundër dezinformimit të orkestruar nga Rusia, e cila synon të minojë stabilitetin rajonal, institucionet demokratike dhe sigurinë afatgjatë të Evropës.
Financimi britanik për forcimin e Ballkanit Perëndimor, ku Rusia akuzohet për nxitje të përçarjes dhe destabilizimit, është ulur nga 40 milionë paund vitin e kaluar në 24 milionë paund për vitin 2025–26.
Fondi i Integruar i Sigurisë (ISF) është krijuar për të trajtuar kërcënimet me përparësi të lartë ndaj sigurisë kombëtare të Britanisë, brenda dhe jashtë vendit.
Starmer e ka përshkruar së fundmi Ballkanin Perëndimor, që përfshin Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, si “vatra e Evropës, vendi ku vihet në provë siguria e kontinentit tonë”.
Fondet e ISF gjatë vitit të kaluar janë përdorur pjesërisht për t’iu kundërvënë sulmeve keqdashëse kibernetike në rajon, si dhe për të forcuar institucionet demokratike dhe mediat e pavarura, shkruan the Guardian
Viti financiar 2025–26 është i pari në një tranzicion gradual të shpallur nga qeveria për të ulur ODA-në nga 0.5% në 0.3% të të ardhurave kombëtare bruto deri në vitin 2027.
Emily Thornberry, kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe ish-sekretare e jashtme në hije, tha se Ballkani Perëndimor ndodhet në vijën e parë të luftës kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve ruse.
“E vizitova Ballkanin Perëndimor më herët këtë muaj. Është e qartë se ata janë në vijën e parë të përballjes me dezinformimin rus. Jam shumë krenare për punën që Britania po bën për t’i mbështetur ata – për sigurinë e tyre dhe të gjithë Evropës. Nevojitet më shumë mbështetje për mediat e pavarura, jo më pak. Njerëzit duan të mësojnë të vërtetën dhe është shumë e vështirë ta gjejnë atë”, tha ajo.



