BSPK: Po rëndohet gjendja sociale e punëtorëve, kërkojmë rritjen e pagës minimale

26 tetor 2021 | 09:55

Ditëve të fundit është vërejtur një rritje e theksuar e çmimeve për produktet bazë të konsumit, ku për Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës kjo ka rënduar gjendjen sociale të punëtorëve dhe qytetarëve në vend.

Sipas BSPK-së, pas kësaj gjendje duhet të ketë rritje të pagës minimale në vend.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) po ndjekë me shqetësim rritjen e çmimeve të artikujve esencial në Kosovë. Kjo e rëndon edhe me tepër gjendjen sociale të punëtorëve dhe të qytetarëve në vend. Fatkeqësisht edhe pse ka rritje të vazhdueshme të çmimeve edhe për artikujt esencial siç janë mielli, vaji, sheqeri, etj., nuk kemi rritje pagash për punëtorët si dhe paga minimale në vend vazhdon të mbetet e njëjtë”, thuhet në reagim.

BSPK thotë se kjo rritje e pagave duhet të bëhet sa më parë.

“Ftojmë publikisht Qeverinë që t’i bashkohet Këshillit Ekonomiko-Social dhe të iniciohet rritja e pagës minimale në vend. Është e rëndësishme që kjo të bëhet sa më parë në mënyra që të përfshihet në Buxhetin e vitit të ardhshëm. Njëkohësisht ftoj deputetët e Parlamentit të Kosovës, pa dallim që të përkrahin rritjen e pagës minimale në vend”, përfundon reagimi.

Kujtojmë se Agjencia e Statistikave të Kosovës, në raportin për muajin shtator, thotë se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.

“Bukë dhe drithëra me 1.5 për qind, mish me 1.9 për qind, qumësht, djathë e vezë me 7.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.2 për qind, perime me 19.7 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, pijet alkoolike me 3.8 për qind, duhan me 2.7 për qind, gaz me 10.6 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 4.6 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 26.7 për qind, shërbime për transport me 2.2 për qind, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20.3 për qind, pushime të organizuara turistike me 8.9 për qind, shërbime hoteliere me 2.3 dhe shërbime financiare me 6 për qind”, thuhet në raport.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka folur për Darkën e…