
Bujar Dugolli: Gjykata Kushtetuese ka sjellë një vendim të drejtë dhe të balancuar
Shkruan: Bujar Dugolli
E kam theksuar edhe para disa ditësh në RTV Dukagjini se Gjykata Kushtetuese ka sjellë një vendim të drejtë dhe të balancuar.
Edhe sot, pasi e lexova të plotë vendimin, mund të konstatohet se:
1. Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi pretendimin e Listës Serbe se ka të drejtë ekskluzive për ta caktuar nënkryetarin apo për të pasur të drejtë vetoje, siç ishte përfolur nga disa…
2. Nuk e pranoi që ndarja e votimit për nënkryetar përbën shkelje të Kushtetutës.
3. Nuk e pranoi pretendimin se nënkryetarja nga radhët e komuniteteve tjera është zgjedhur në mënyrë të parregullt, pasi ishte veçuar në procedurën e votimit.
4. Nuk e kontestoi procedurën e ndjekur për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb dhe as ligjshmërinë e shortit si mjet procedural, por theksoi se ai duhet të përdoret vetëm si zgjidhje e fundit dhe me respekt të plotë për barazinë e komuniteteve.
5. Pranoi se Lista Serbe ka të drejtë të propozojë kandidatin e saj, por jo të bllokojë procesin në mënyrë të pakufizuar dhe të detyrojë deputetët të zgjedhin vetëm nga propozimet e saj.
Tani u mbetet deputetëve nga të gjitha grupimet politike që sa më shpejt ta zbatojnë këtë vendim, ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit duke përsëritur procedurën e votimit për të zgjedhur nenkryetarin, deputetin nga radhët e komunitetit serb ( si rasti i, z. Nenad Rashiq, i cili kishte marrë 56 vota), dhe të ecin me hapat e radhës për formimin e Qeverisë së Kosovës.