Bujar Dugolli kërkon që shtatorja e Rugovës para Katedrales të zëvendësohet me atë të Imzot Mark Sopit ose Imzot Nikë Prelës

16 nëntor 2025 | 09:47

Profesori universitar dhe ish-lideri studentor, Bujar Dugolli, ka reaguar lidhur me punimet që po zhvillohen në sheshin “Xhorxh Bush” dhe zhvendosjen e shtatores së Presidentit Ibrahim Rugova. Ai ka kërkuar që pas zhvendosjes, kjo shtatore të mos rivendoset pranë Katedrales, pasi sipas tij nuk është e nevojshme që afër tempujve fetarë të vendosen figura politike. Dugolli propozon që në atë hapësirë të vendoset shtatorja e Imzot Mark Sopit, ipeshkvi i parë i Republikës së Kosovës, ose e Imzot Nikë Prelës, një figure e rëndësishme e qëndresës shpirtërore dhe kombëtare.

Reagimi i Bujar Dugollit:

Zhvendosja e shtatores qe kërkon më shumë reflektim se sa 18 000 € !

Në media është bërë publike se Komuna e Prishtinës, gjatë punimeve që po i kryen në sheshin “Xhorxh Bush”, ka paraparë një kosto financiare prej  1 8 000 eurosh vetëm për zhvendosjen dhe rivendosjen e shtatores së ish-Presidentit Ibrahim Rugova.

Ky vendim hap shumë pikëpyetje për logjikën e planifikimin simbolik monumental urban, mënyrën e vendimmarrjes së vitit 2021 kur ajo u vendos, si dhe për përdorimin e parasë publike.

Megjithatë, mendoj se problemi është më i thellë sesa kostoja që po diskutohet në publik. A duhet Prishtina të ketë dy shtatore të të njëjtit personalitet brenda një zone kaq të vogël? Kjo nuk ndodh në asnjë qytet normal, sepse i humbet kuptimi simbolik figurës së vetë njeriut që po nderohet.

Prishtina tashmë ka një shtatore të bukur dhe dinjitoze të ish-Presidentit Rugova, dhe atë në qendër të qytetit. Aty e ka vendin dhe aty e nderon i gjithë qyteti. Me shumë respekt dhe mirëkuptim, lus Ipeshkvinë e Kosovës dhe udhëheqjen e Katedrales që të shqyrtojnë mundësinë që shtatorja të largohet nga oborri i Katedrales.

Kjo jo si kundërshtim ndaj figurës së Rugovës, përkundrazi, por sepse oborri i një institucioni fetar zakonisht nuk është vendi më i përshtatshëm për një figurë politike dhe shtetërore.

Nuk është as praktike, as simbolike, as historike.

Nga ana tjetër, është krejtësisht e natyrshme dhe e drejtë që në oborrin e Katedrales së Prishtinës të vendosen shtatoret e udhëheqësve fetarë që i kanë shërbyer këtij vendi në plan fetar, shoqëror dhe kombëtar si:

Imzot Mark Sopi, ipeshkvi i parë i Republikës së Kosovës, ose Imzot Nikë Prela, figurë e qëndresës shpirtërore dhe kombëtare.

Këta dy udhëheqës fetarë kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë në periudhat më të vështira të Kosovës, duke qenë pranë popullit, duke mbrojtur besimin dhe dinjitetin e njerëzve.

Pikërisht për këtë arsye, shtatoret apo bustet e tyre e kanë vendin natyrshëm në oborrin e Katedrales.

Ndërkohë, në vend që Prishtina të ketë dy shtatore të Rugovës brenda pak metrash, shumë qytete të tjera të Kosovës ende nuk kanë asnjë të tillë.

Pikërisht për këtë arsye, do të ishte më e drejtë dhe më domethënëse që shtatorja aktuale të vendoset në një qytet tjetër të Kosovës, ku nderimi për të do të kishte vlerë reale dhe ku të paktën do të arsyetohej kostoja e zhvendosjes dhe rivendosjes së planifikuar nga Komuna e Prishtinës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar…