Bujar Osmani bindshëm para Arben Taravarit

24 prill 2024 | 21:36

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut, ka përditësuar të dhënat për zgjedhjet presidenciale, në të cilat kandidati shqiptar i “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, është duke prirë bindshëm ndaj kandidatit tjetër shqiptar nga radhët e koalicionit “VLEN”, Arben Taravari, me më shumë se 20 mijë vota.

Me 59,59 për qind të votave të numëruara, Osmani renditet i treti më i votuar me plotë 81 mijë e 748 vota, apo 15.63 për qind.

Nga ana tjetër, Taravari, që renditet i katërti, ka grumbulluar 11.39 për qind, apo 59 mijë e 591 vota.

Ndërsa, e para në garën zgjedhore është kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, me 37.80 për qind, apo 197 mijë e 741 vota.

Ajo pasohet nga presidenti aktual, Stevo Pendarovski, me 18.66 për qind, apo 97 mijë e 592 vota.

Deri më tani janë numëruar 59,59 për qind e votave.

Dalin rezultatet e para, Bujar Osmani i dyti më i votuar

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut, ka publikuar rezultatet e para të zgjedhjeve presidenciale, në të cilat kandidati shqiptar nga radhët e “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, është i dyti kandidat më i votuar.

Sipas rezultateve të deritanishme, Osmani është kandidati i dytë më i votuar me 17. 59 për qind, apo me 62 mijë e 772 vota.

E para renditet kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, me 36.01 për qind, apo 128 mijë e 521 vota, e pasuar nga presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, i cili ka mbëhstetjen e LSDM-së, Stevo Pendarovski, më 17.51 për qind, apo 62 mijë e 484 vota.

Ndërsa, në vendin e katërt është kandidati tjetër shqiptar nga radhët e koalicionit “VLEN”, Arben Taravari, më 12.87 për qind, apo 45 mijë e 932 vota.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut të mërkurën ka zhvilluar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Në garë kanë qenë shtatë kandidatë, dy prej tyre shqiptarë.

Bujar Osmani garoi nën siglën e “Frontit Evropian”, i udhëhequr nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ndërsa Arben Taravari, ishte i mandatuar nga koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, që kanë mbështetjen edhe të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kandidatë të tjerë kanë qenë edhe Stevço Jakimovski, kryetar i komunës së Karposhit – i shpallur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – Profesoresha e Drejtësisë, Biljana Vankovska, e mandatuar nga e majta ekstreme “Levica” dhe kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Rreth 1.8 milionë qytetarë të Maqedonisë së Veriut të mërkurën kanë pasur të drejtë t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kreun e shtetit.

Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale të këtij shteti, që nga pavarësimi i tij nga Republika Federale e Jugosllavisë, në vitin 1991.

Gjasat janë maksimale që të ketë raund të dytë, i cili mbahet më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Alonzo Verge JR ka udhëhequr Golden Eagle Yllin në përballjen…