
Buleshkaj: Rreth 150 raste të konfliktit të interesit këtë vit, 30% lidhen me punësim
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë të ditur se që nga fillimi i këtij viti janë evidentuar rreth 150 raste të konfliktit të interesit, ndërsa afërsisht 30 për qind e tyre lidhen me procesin e punësimit në institucione publike.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Buleshkaj foli edhe për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët shtetërorë, ku theksoi se mbi 100 prej tyre janë gjobitur për vonesa në deklarim.
Buleshkaj ka thënë se në shumë raste zyrtarë publikë kanë marrë pjesë në panele rekrutimi apo kanë nënshkruar vendime për punësim në kundërshtim me ligjin për shkak të afërsisë me personat e përzgjedhur.
“Deri tash nga fillimi i vitit, nga të dhënat statistikore, po flasim deri në fillim të tetorit, kemi 150 raste të konfliktit të interesit. Ka një numër goxha të madh të këtyre rasteve që ndërlidhen me punësim. Nuk është numri dërrmues i tyre, por kemi mund të themi rreth 30 për qind ndërlidhen disi me punësim, qoftë me pjesëmarrje në panele rekrutimi të personave që pretendojnë që nuk kanë pasur të drejtë të jenë aty, apo edhe me vendimmarrje finale, ku nënshkruhet vendimi për punësim nga zyrtarët që ju ndalohet për shkak të afërsisë së këtyre zyrtarëve me ata që janë përzgjedhur, qoftë kjo afërsi e gjakut, qoftë afërsi në biznes apo angazhime të tjera që mund t’i kenë si zyrtarë publikë”, tha Buleshkaj.