
Bulliqi dhe Konjufca bëjnë homazhe në Dyz
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deputetë llapjanë dhe udhëheqës të ekzekutivit të komunës, kanë bërë homazhe pranë pllakës përkujtimore dhe varreve të 70 viktimave civile të vrarë nga forcat serbe më 18 prill 1999 në Dyz dhe Koliq.
“Vuajtjet dhe sakrificat e popullit tonë për liri ishin të mëdha. Ne kemi paguar çmim të shtrenjtë për lirinë e vendit. Sot kujtojmë dhe nderojmë veprën dhe sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve për lirinë e vendit. Masakra e Dyzit përveç që është e dhimbshme për faktin e vrasjes së njerëzve të pafajshëm, është edhe shumë e madhe për nga numri i viktimave civile”, ka thënë kryetari Bulliqi.
Ai ka thënë se dëshmorët dhe martirët e rënë për lirinë e vendit janë treguesi i qëndresës dhe sakrificës për lirinë e vendit.