
Bulliqi mori pjesë në aksionin për pastrimin e Liqenit të Batllavës
Komuna e Podujevës, në bashkëpunim me ShPSR “Batllava”, ka organizuar të mërkurën një aksion për pastrimin e Liqenit të Batllavës, në të cilin kanë marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja Marigona Lahu dhe anëtarë të ekzekutivit.
Në aksionin e pastrimit të liqenit kryetari Bulliqi ka thënë se ky aksion është i domosdoshëm për pastrimin e liqenit për shkak të të reshurave të cilat kohët e fundit kanë qenë të shpeshta dhe kanë përkeqësuar gjendjen e ujit të liqenit, duke sjell edhe mbeturina të ndryshme.
Bulliqi ka theksuar se një shkaktar tjetër i ndotjes së ambientit përreth liqenit janë edhe qytetarët të cilët e vizitojnë liqenin dhe nuk përkujdesen për ruajtjen e këtij resursi natyror.
Ai ka shprehur gatishmërinë t’i përkrahë edhe iniciativat e tjera që do të bëhen me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së kësaj pasurie natyrore, por u ka bërë thirrje qytetarëve që të përkujdesen më shumë për mbrojtjen e kësaj hapësire.
“Apeloj te të gjithë që vijnë ta vizitojnë dhe shfrytëzojnë për pushim e rekreacion këtë ambient të bukur, që ta ruajnë dhe mbrojnë nga ndotja”, ka thënë Bulliqi.
Në këtë aksion të pastrimit u angazhuan anëtarë të ShPSR “Batllava”, punëtorë të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, nxënës të Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” dhe qytetarë.