
Bulliqi thotë se demarkimi i kufirit me Malin e Zi është ende i hapur
Ish-kryetari i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi ka deklaruar se procesi i demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi është akoma i hapur.
Bulliqi në Tëvë1 është shprehur se ky proces do të mbyllet vetëm kur të bëhet shënimi zyrtar i pikës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.
“Unë iu them të gjithëve se ky proces nuk është i përmbyllur por ky proces është i hapur. Ky proces mbyllet kur të bëhet shënimi zyrtar i pikës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Edhe sot e kësaj dite nuk kemi shënim zyrtar të pikës kufitare të Kosovës dhe Malit të Zi dhe pa u përmbyllur ky proces i shënimit zyrtar nuk ka përmbyllje të procesit”, ka thënë ai.
Bulliqi ka theksuar se Mali i Zi ka qenë i gatshëm për të rregulluar këtë çështje në kohën e qeverisjes së Isa Mustafës, mirëpo sipas tij Mustafa nuk e ka pranuar një gjë të tillë.
“Në kohën e qeverisjes së Isa Mustafës, në takimin i cili është mbajtur në Shkodër, Mali i Zi decidivisht iu ka thënë ne jemi të gatshëm me e rregullu çdo pikë që është diskutabile, e ajo qeverisje bashkë me ish-kryetarin e saj nuk kanë dashur ta hapin këtë proces dhe e kanë lënë të mbyllur, por nuk është i mbyllur sepse nuk kemi shënim zyrtar të asaj vije kufitare”, ka deklaruar Bulliqi.