Bundeswehr-i përgatitet për mision në ngushticën e Hormuzit
Nga baza detare Kiel‑Wik në Detin Baltik, anija e çminimit “Fulda” u nis drejt Mesdheut, ku fillimisht pritet të integrohet në një njësi të NATO‑s për kundërveprimin ndaj minave detare. “Fulda” është e specializuar në zbulimin dhe asgjësimin e minave detare.
Në Mesdhe anija do të jetë më afër vendit të mundshëm të dislokimit, në rast se do të ketë një mision ndërkombëtar nëNgushticën e Hormuzit.
Që nga fillimi i luftës me Iranin më 28 shkurt, regjimi në Teheran ka bllokuar ngushticën e rëndësishme për lundrimin tregtar, për të cilën thuhet se është minuar. Si pasojë e kësaj bllokade, çmimet e naftës dhe të gazit të lëngshëm në tregjet botërore janë rritur ndjeshëm.
Bllokimi i Hormuzit me pasoja të rënda për ekonominë gjermane
Kancelari federal Friedrich Merz (CDU)ka deklaruar disa herë se Gjermania është e gatshme të kontribuojë në garantimin e një marrëveshjeje paqeje – megjithatë, vetëm pas përfundimit të luftës me Iranin. Këtë ia ka premtuar personalisht presidentit amerikan Donald Trump, e ritheksoi Merz të dielën (03.05.2026) në mbrëmje në emisionin e ARD‑së “Caren Miosga”:
“Gjatë vizitës sime të fundit, por edhe në bisedat tona telefonike, i kam thënë vazhdimisht se kjo luftë tashmë ka pasoja të konsiderueshme për ne, se do të dëshironim ta shihnim të përfunduar – dhe se jemi të gatshëm të ofrojmë edhe ndihmë.”
Marina Gjermane ka një përvojë të gjerë në pastrimin e minave detare. Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ajo ka pastruar vazhdimisht municione të vjetra, veçanërisht në Detin Baltik. Flota posedon dhjetë anije detektuese minash, të pajisura me dronë modernë dhe zhytës për gjetjen e minave shumë të specializuar. Kjo flotë ka krijuar reputacionin e saj ndërkombëtar në këtë fushë mjaft të parrahur. Aftësia për çminim konsiderohet në NATO si një burim i munguar.
Fjalën e fundit e ka Bundestagu
Ashtu si çdo mision i armatosur i Bundeswehr‑it jashtë vendit, edhe një mision I mundshëm detar në Ngushticën e Hormuzit do të ishte i kushtëzuar nga kritere të caktuara. Këto rrjedhin nga Kushtetuta gjermane (Grundgesetz) dhe nga praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese Federale, institucioni më i lartë gjyqësor në Gjermani.
Së pari, një mision i tillë duhet të jetë i integruar në një “sistem sigurie kolektive”. Të tilla janë Kombet e Bashkuara, aleanca mbrojtëse NATO ose Bashkimi Evropian.
Së dyti, Bundestagu duhet të informohet për misionin jashtë vendit, ta shqyrtojë atë dhe në fund të miratojë mandatin. Në këtë mandat përcaktohen detajisht detyra konkrete e Bundeswehr‑it, kapacitetet ushtarake që vihen në dispozicion, zona e operacionit, numri maksimal i trupave si dhe kohëzgjatja e misionit.
Marina gjermane qysh tani shumë e ngarkuar
Derisa Bundestagu ta miratojë një mision, mund të kalojnë ditë ose edhe javë. Për këtë arsye, Marina po merr që tani masa paraprake. Për ta bërë këtë, asaj i duhet të riorganizojë angazhimet e saj. “Gjithçka që kemi është tashmë në përdorim. Kjo vlen veçanërisht për skuadrën e çminimit”, tha së fundmi kapiten‑fregate Inka von Puttkamer, komandante e Skuadrës së 3‑të të Çminimit, gjatë një konference për shtyp në bazën detare Kiel. “Një detyrë e re gjithmonë vjen në kurriz të një detyre ekzistuese.”
Që tani, sipasministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius, Marina është “marina më e vogël në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë” dhe është e angazhuar në disa misione të Bashkimit Evropian, NATO‑s dhe Kombeve të Bashkuara.
Kapiten‑fregate Inka von Puttkamer e bëri të qartë se puna e rrezikshme në një fushë të minuar mund të kryhet vetëm nën mbrojtje. “Prandaj njësitë për kundërveprim ndaj minave mund të angazhohen vetëm nëse garantohet siguri ndaj kërcënimeve në sipërfaqen e detit dhe nga ajri. Ashtu si një fregatë nuk mund të gjejë mina, një anije çminimi nuk mund të zhvillojë luftë ajrore. Prandaj do të na shihni gjithmonë të veprojmë në bashkëpunim me fregata ose korveta.”
Edhe avionët e rinj të zbulimit detar me rreze të gjatë të tipit P‑8 Poseidon mund të përdoren në një mision të tillë.
Pistorius: Nuk ka mision pa pjesëmarrjen e SHBA‑së
Një mision i tillë është i mundur vetëm së bashku me partnerët, thekson ministri i Mbrojtjes Pistorius, dhe vetëm në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-ja ka “njohurinë më të mirë të situatës në rajon”.
“Amerikanët janë ata që – së bashku me izraelitët – po zhvillojnë këtë luftë dhe për këtë arsye janë edhe ata me të cilët duhet të operojmë bashkë, kur bëhet fjalë për pasojat”, ka deklaruar politikani i SPD‑së në emisionin e ARD‑së “Bericht aus Berlin”.
Sa e minuar është Ngushtica e Hormuzit mbetet e paqartë. Po aq e paqartë është edhe se kur do të përmbushet kushti thelbësor për një mision të Bundeswehr‑it: një fund i qëndrueshëm i luftës me Iranin.
Aktualisht nuk ka shenja për një fund të tillë. Përkundrazi, tensionet rreth Ngushticës së Hormuzit janë përshkallëzuar sërish kohët e fundit. /DW



