Bunjaki: Mund t’i nxjerrim telashe Anglisë

09 qershor 2022 | 11:47

Përfaqësuesja e Kosovës U21 në futboll po i vazhdon përgatitjet me intensitet dhe me entuziazëm për ndeshjen e radhës kundër Anglisë U21 që zhvillohet të premten në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Fitorja kundër Andorrës e ka rritur vetëbesimin tek ekipi i drejtuar nga Albert Bunjaki, megjithëse të gjithë janë të vetëdijshëm se kësaj radhe përballë do të kenë një kundërshtar të një niveli krejt tjetër, me lojtarë që kanë përvojë edhe në Ligën Premiere. Bunjaki është shprehur i kënaqur me shumë elemente të lojës kundër Andorrës, veçmas me futbollistët e gjeneratës më të re, pasi prej 24 futbollistëve të grumbulluar, 14 prej tyre kanë të drejtë të luajnë në kualifikimet e ardhshme.

“Më gëzon fakti se 8 lojtarë që kanë luajtur në pjesën e dytë kundër Andorrës e kanë mundësinë që të luajnë edhe në ciklin e ardhshëm kualifikues. Objektivi ynë është që në këto tri ndeshje së paku t’i marrim katër pikë dhe eventualisht 6 pikë, sepse kjo na mundëson që të kemi një pozitë më të mirë në renditje, e që do të kishte ndikim në shortin e kualifikimeve të ardhshme. Ndërkaq, objektiv tjetër është inkuadrimi i sa më shumë futbollistëve të rinj të cilët do të jenë pjesë e ekipit në të ardhmen”, ka thënë Bunjaki.

“Më e mira e ndeshjes me Anglinë është se askush nuk beson se ne mund të nxjerrim rezultat pozitiv. Por, ne besojmë se me përgjegjësi e disiplinë në lojën defansive mund t’u sjellim telashe edhe kombëtareve të nivelit të Anglisë. Normalisht se nuk do të jetë e lehtë sepse niveli i kësaj kombëtare është krejt tjetër, por neve kjo ndeshje do të na shërbejë si shkollë dhe si vizion për të ardhmen. Pres maksimumin prej secilit lojtar dhe do të jetë interesant si për mua, po ashtu edhe për lojtarët të shohim sa do të arrijmë të ballafaqohemi me një kundërshtar të tillë”, ka shtuar Bunjaki.

“Ndeshja me Anglinë është e veçantë. Është kënaqësi t’i shoh yjet e së ardhmes së Ligës Premiere në ‘Fadil Vokrri’, por njëkohësisht edhe lojtarët tanë kanë nevojë për përkrahjen e tifozëve, sepse motivimi është më i madh. Prandaj, apeloj te të gjithë sportdashësit që të vijnë ta përkrahin kombëtaren”, ka deklaruar Bunjaki. Ndeshja Kosovë U21 – Angli U21 zhvillohet të premten në orën 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe hyrja për të gjithë tifozët është falas.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një shpërthim i fuqishëm ndodhi dy ditë më parë në…