Burgim i përjetshëm për dy terroristët e Banjskës, Hoxha: Tani është radha e Radoiçiqit

24 prill 2026 | 16:59

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykim dënues me burgim të përjetshëm ndaj Bllagoje Spasojeviqit dhe Vlladimir Tolliqit, të cilët u shpallën fajtorë për sulmin terrorist në Banjskë. I akuzuari i tretë, Dushan Maksimoviq, është dënuar me 30 vjet burgim.

Drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, e ka cilësuar të drejtë vendimin e gjykatës.

Në një intervistë për “Kosovapress”, menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, ai tha se pavarësisht verdiktit të sotëm, drejtësia nuk është e plotë pa u dënuar të gjithë ata që ishin të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

“Vlerësojmë se gjykatat e kanë kryer detyrën e tyre. Ka qenë një proces, mendoj, i drejtë dhe i rregullt, sepse kështu janë ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës. Tani mbetet të shihet nëse do të ketë ankesa ndaj këtij vendimi. Me gjasë, avokatët do të ushtrojnë ankesë. Sidoqoftë, ky është një vendim i drejtë për ne dhe shpresojmë që edhe personat e tjerë të përfshirë në këtë rast të arrestohen sa më shpejt dhe t’u dorëzohen institucioneve tona të sigurisë. Procesi i Banjskës nuk është i përfunduar dhe drejtësia nuk është e plotë pa u dënuar të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë sulm terrorist, grup i udhëhequr nga Radoiçiqi dhe i mbështetur, financuar e trajnuar nga Qeveria e Serbisë”, deklaroi Hoxha.

Ai shtoi se nevojitet presion më i madh nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Serbisë për dorëzimin e të akuzuarve të tjerë në këtë rast.

“Mendoj se ky është një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë së plotë. Megjithatë, drejtësia do të arrihet vetëm atëherë kur të gjithë të përfshirët, përfshirë edhe udhëheqësin e këtij grupi kriminal, Radoiçiqin, të jenë prapa grilave dhe të marrin dënimin e merituar. Ky është vetëm hapi i parë dhe mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Në këtë drejtim, kërkohet presion i vazhdueshëm nga bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet tona, derisa të gjithë të përgjigjen para drejtësisë”, theksoi ai.

Hoxha e cilësoi 24 shtatorin e vitit 2023 si një ndër ditët më të rënda për Republikën e Kosovës.

“Ka qenë një ditë shumë e rëndë për Republikën e Kosovës. Vlerësoj se ka qenë sulmi më i rëndë që nga periudha e pasluftës deri më sot, pa përjashtuar edhe sulme të tjera. Ky ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetësisë, sovranitetit dhe institucioneve tona të sigurisë, me synimin për të krijuar një realitet të ri në atë pjesë të vendit. Megjithatë, Policia e Kosovës dhe institucionet tona të sigurisë, veçanërisht policët në terren, kanë kryer një punë të shkëlqyer duke e mposhtur këtë grup terrorist dhe duke rikthyer kontrollin e plotë në veri”, tha ai.

Si pasojë e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, mbeti i vrarë rreshteri 50-vjeçar Afrim Bunjaku, ndërsa tre policë të tjerë u plagosën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Artistja shqiptare Donna Dafi ka publikuar videoklipin e saj më…