
Burim Zymeri po e ndan drejtësinë në Evropianin U16
Kampionati Evropian për vajza U16, që po zhvillohet për herë të parë në histori në Prishtinë dhe Tiranë, po shënon një sukses të jashtëzakonshëm në organizim, mikpritje dhe përfaqësim.
Një nga figurat kyçe të këtij suksesi në aspektin teknik është gjyqtari me thirrje ndërkombëtare, Burim Zymeri, i cili po ndan drejtësinë në Grupin II që po luan ndeshjet në kryeqytetin tonë. Zymeri, pas një përvoje të pasur në shumë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, ka ndarë drejtësinë në katër ndeshje brenda katër ditëve, nga gjithsej shtatë që do të luhen në këtë grup, dhe do të jetë në aksion edhe në tri ditët e mbetura të garës.
Angazhimi i tij i pandërprerë tregon nivelin e lartë profesional dhe respektin që gëzon në strukturat e volejbollit evropian. Përveç prezantimit të shkëlqyer organizativ dhe mundësisë historike për përfaqësimin e Kombëtares sonë U16, prezenca e një gjyqtari kosovar në këtë nivel është një vlerë e shtuar për Federatën e Volejbollit të Kosovës. Ajo dëshmon zhvillimin e vazhdueshëm të volejbollit në vendin tonë në të gjitha segmentet.
FVK-ja i uron Burim Zymerit shumë suksese në detyrat e radhës dhe e falënderon për përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare.