
Burraj vendos rekord të ri në Slloveni
Atleti shkodran Franko Burraj ka vendosur një rekord të ri kombëtar në garën e 400 metrave, duke përmirësuar kohën e tij të mëparshme, të vendosur një muaj më parë në Kupën e Shqipërisë. Në Kampionatin Evropian të Shteteve që po zhvillohet në Slloveni, atleti kuqezi arriti kohën 45”87.
Për herë të parë në historinë e atletikës shqiptare kjo kohë zbret nën 46 sekonda. Rekordi i mëparshëm ka qenë 46”14, vendosur po nga Burraj në garat e atletikës të zhvilluara në Shkodër dhe tashmë ai arrin ta përmirësojë më tej atë, duke konfirmuar se po kalon një formë të shkëlqyer. Përpos rekordit kombëtar, Burraj arriti të fitojë edhe medaljen e artë në këtë event. Siç dihet, Shqipëria merr pjesë në Divizionin e tretë të këtij eventi, ku garojnë vendet e vogla.