Burrë e grua “turren”, i bëjnë me Serbi ish-luftëtarët e UÇK-së dhe bashkëluftëtarit të Adem Jasharit
Me të dështuar votimi për Qeverinë Konjufca 1, Albulena Haxhiu e burri i saj, Alban Krasniqi ‘u turren’ me sulme ndaj PDK-së. Të dy, burrë e grua barazuan deputetët e PDK-së me Listën Serbe, anise shumica nga ta kanë familjarë të vrarë e disa luftuan krah Adem Jasharit, shkruan Periskopi.
Menjëherë pasi përfundoi seanca, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu publikoi një foto të deputetëve të PDK-së dhe Listës Srbe në Kuvend kur votuan kundër Glauk Konjufcës kryeministër.
“Në harmoni të plotë”, shkroi Albulena Haxhiu në Facebook.

Pas saj, reagoi edhe burri i saj i zhurmshëm, Alban Krasniqi.
Edhe Krasniqi me foton e njëjtë barazoi deputetët e PDK-së me Listën Serbe.
“Qe, çka keni votu. E kam fjalën për këta të PDK-së”, shkroi Krasniqi.

Por, nuk e la me kaq. Alban Krasniqi u kap edhe për kryetarit të LDK, Lumir Abdixhiku.
“Cili ke Lumiri? Se nga fjalimet e tyre nuk munda ti dalloj”, shkroi Krasniqi në Fb teksa bëri bashkë në një foto Lumir Abdixhikun dhe Igor Simiqin.

Ndaj Albulena Haxhiut ka reaguar edhe deputeti i PDK-së dhe djali i Jakup Krasniqit, Altini.
Ai tha se Haxhiu njëjtësoi me qëllim që t’i njollosë të gjithë, ndërsa rikujtoi se është i bir i Jakup Krasniqit, zëdhënësit të UÇK-së.
“Në rreshtin tim, pranë meje është deputeti Fadil Demaku, të cilit gjatë luftës kundër ushtrisë serbe iu vranë vëllai dhe motra. Është Perparim Gruda, të cilit iu vra babai. Po ashtu janë deputetë që janë bashkëluftëtarë të Adem Jasharit. Ndër ta jam edhe unë, Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, njeriut që gjithë jetën e tij është përndjekur nga regjimi fashist i Serbisë dhe që tash e pesë vite qëndron ballëlartë në bankën e të akuzuarve, pikërisht përballë akuzave të fabrikuara nga Serbia”, shkroi ai.



