Buxheti nuk mund të hyjë në rend të ditës pa qeveri të re
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, duke folur për letrën e 21 organizatave të shoqërisë civile drejtuar presidentes Vjosa Osmani, ku përshkruhet miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm, tha se buxheti nuk mund të hyjë në rend të ditës pa zgjedhje të qeverisë së re.
Çitaku shtoi se presidentja Osmani do të duhej t’i ftonte partitë politike në takim ditën e hënë, për situatën aktuale ku Kosova është pa qeveri të re.
“Nuk mund të ketë seancë të jashtëzakonshme dhe buxheti si i tillë nuk mund të hyjë në rend të ditës pa u zgjedhur një qeveri e re. Për atë arsye unë jam e hutuar me mungesën e urgjencës nga ana e presidentës; ajo do të duhej të ishte këtu që ditën e hënë t’i ftonte partitë politike në takim. Po e ripërsëris që shteti, pos tjerash, është edhe procedura, jo thjesht si formë por si instrument i ndarjes së pushteteve, kështu që në këto rrethana unë nuk e di sa do të ishte e mundur”, potencoi ajo në RTV21.
Ajo shtoi se çështja e buxhetit nuk duket që do të diskutohet në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Kosovës e cila do të mbahet të enjten në orën 14:00.



