Bytyqi, drejtuesve të universiteteve: Dëshmoni se i plotësoni kriteret për akreditim

30 janar 2019 | 17:57

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka thënë se kjo ministri është duke monitoruar nga afër situatën e fundi të krijuar pas vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) dhe nga ana tjetër pakënaqësitë e kundërshtimet e shprehura nga rektorët e universiteteve publike dhe bartësit privat të arsimit të lartë.

Ai ka theksuar se Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë u nënshtrohen kritereve ligjore të paracaktuar dhe KSHC është i autorizuar të veproj për akreditimin e programeve në universitete publike dhe kolegje private përkitazi me legjislacionin në fuqi.

Sipas ministrit Bytyqi, aktualisht vendimet e fundit të KSHC-së kanë rezultuar me mosakreditimin e një numri të konsiderueshëm të programeve në arsimin e lartë, çka ka rezultuar me shprehjen e pakënaqësive nga përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë.

“Pa dashur të paragjykojmë vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ne si MAShT nuk e kemi as autoritetin ligjor, as vullnetin politik, të ndërhymë në vendimet e këtij Këshilli si një institucion me pavarësi vendimmarrëse. Praktika institucionale në Kosovë edhe brenda Ministrisë së Arsimit, ka mekanizma të mjaftueshëm ligjorë për të kundërshtuar një vendim, kur beson se ai është i gabuar. Në rastet kur universitetet publike apo kolegjet private, besojnë se KSHC nuk ka zbatuar kriteret dhe standardet e parapara me legjislacionin në fuqi, ato mund të bëjnë ankesë dhe të dorëzojnë argumentet e tyre”, ka shkruar Bytyqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai u ka bërë thirrje rektorëve si përfaqësues dhe përgjegjës për universitetet përkatëse, të ndjekin rrugët ligjore dhe përmes ankimimit në Komisionin e Ankesave në KSHC, të dëshmojnë se plotësojnë kriteret dhe standardet e parapara me rastin e akreditimit të një programi.

“Vendimet e KShC-së mund të rishqyrtohen vetëm pas ankimimit në Komisionin e ankesave të këtij Këshilli. Çdo rrugë tjetër është e gabuar dhe MAShT e ka të pamundur të ndërhyj”, ka theksuar ministri Bytyqi.

Ai ka falënderuar për mbështetje miqtë ndërkombëtar, veçanërisht ambasadorin ShBA-së Kosnett, ambasadoren e BE-së Apostolova, ambasadorin e Gjermanisë  Heldt, ambasadorin e Britanisë, O’Connell si dhe kryeministrin Haradinaj e zëvendëskryeministrin Limaj për kontributin dhe angazhimin e vazhdueshëm në fuqizimin e sistemit tonë arsimor.

“Dua t’i garantoj të gjithë se do të mbetem i përkushtuar në sigurimin e pavarësisë vendimmarrëse të institucioneve të pavarura brenda dikasterit që drejtoj dhe në asnjë formë nuk do të lejojmë të cenohet puna dhe angazhimi i përbashkët për të rritur cilësinë në sistemin tonë arsimor”, ka deklaruar ministri Bytyqi.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të iniciativës për të vizituar të gjitha prokuroritë…