Bytyqi: Kimioterapia të shpërndahet edhe nëpër spitale regjionale, jo vetëm në Prishtinë
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherit anëtare e Komisionit për Shëndetësi, Albana Bytyqi, ka kërkuar që terapia për personat e diagnostikuar me kancer të jepet edhe në spitalet regjionale.
Siç thotë anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, shumë prej këtyre personave me këtë sëmundje kanë kushte të rënda ekonomike dhe ardhja në Prishtinë për të marrë terapinë është shumë e vështirë, shkruan EkonomiaOnline.
“Patjetër që kjo është e domosdoshme që t’ju ofrohet një mbështetje. Mirëpo unë kur kam qenë në legjislaturën e kaluar kam kërkuar që, sidomos kimioterapia të shpërndahet nëpër rajonet regjionale, për shembull e kemi pasur në Prizren. Kjo ka funksionuar një kohë shumë të shkurtër, mandej është ndalur sepse rastet të cilat i kemi me sëmundje të rënda janë edhe me kushte ekonomike jo të mira dhe nuk po kanë mundësi me ardh me marrë terapi në Prishtinë dhe me u kthyer prapë. Mirëpo e kam kërkuar dhe nuk e di sa është tash duke funksionuar, mirëpo do të interesohem ta shoh se si po rrjedh procedura”, tha Bytyqi.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi ditë më parë në një intervistë ka treguar se vetëm gjatë periudhës janar – 20 mars, rreth 500 pacientë janë diagnostikuar dhe trajtuar për herë të parë në Klinikën e Onkologjisë.
“Në Kosovë regjistrohen rreth 2100 raste të reja në vit, kjo përkthehet në afërsisht 170 -190 raste në muaj, pra për periudhën janar – 20 mars: rreth 500 pacientë të rinj të ekzaminuar/diagnostikuar dhe trajtuar në Klinikën e Onkologjisë për herë të parë .Çdo ditë pune rreth 250-300 pacient trajtohen në shërbimin e Onkologjisë mjekësore dhe rreth 140 pacient në ditë rrezatohen në Shërbimin e Radioterapisë, pra mbi 450 pacient në total trajtohen në Kliniken e Onkologjisë”, ka thënë Kurtishi.



