
Cakaj: Shqipëria do ta ndihmojë financiarisht Luginën për blerjen e teksteve shkollore
Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka njoftuar se Këshilli i Ministrave të Shqipërisë ka vendosur dhënien e një mbështetjeje shtesë financiare për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës me qëllim blerjen e teksteve shkollore.
Lajmin Cakaj e ka bërë me dije në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Edhe një informacion tepër i vyer e shumë domethënës për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë sot ka vendosur dhënien e një mbështetjeje shtesë financiare për Këshillin Kombëtar në Serbi me qëllim blerjen e teksteve shkollore. Ky vendim i shërben nxënësve shqiptarë që ndjekin procesin mësimor në institucionet e sistemit parauniversitar në tre komuna: Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë”.
“Ky vendim është në funksion të rritjes së edukimit në përgjithësi dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në veçanti. Shqipëria mbetet e përkushtuar për rritjen e kujdesit për të gjithë shqiptarët në rajon dhe diasporë në përgjithësi”, ka shkruar Cakaj.
/Epoka e re/