Cakolli: Çdo vonesë në shpalljen e zgjedhjeve rrit rrezikun për kriza institucionale, kushtetuese dhe buxhetore
Eugen Cakolli nga KDI, ka paralajmëruar se çdo vonesë e Presidentes Vjosa Osmani në shpalljen e datës së zgjedhjeve të parakohshme rrezikon funksionimin normal të institucioneve në vitin 2026.
Sipas tij, çdo ditë pa vendim ngushton hapësirën ligjore dhe e shtyn vendin drejt skenarëve të pasigurt kushtetues, politik dhe fiskal.
Cakolli thotë se, bazuar në afatet aktuale – pavarësisht mospërputhjeve mes Kushtetutës dhe Ligjit për Zgjedhjet për mënyrën e llogaritjes së afateve – datat reale të mundshme për zgjedhje mbeten 21 dhe 28 dhjetori.
Megjithatë, ai thekson se nëse konsultimet e Presidentes shtyhen pas 22 nëntorit, atëherë data 21 dhjetor bie si opsion, duke e shtyrë procesin zgjedhor drejt janarit.
Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve në janar paraqet rrezik të madh për financat e shtetit, pasi zgjatja automatike e ndarjeve buxhetore vlen vetëm për muajin janar, por jo për shkurtin.
“Zgjedhjet duhet të mbahen në dhjetor, dhe sa më herët që të jetë e mundur, në mënyrë që të shmangen kriza të reja dhe të zvogëlohet presioni kohor për formimin e institucioneve, të cilat duhet të kompletohen në ditët e para të marsit”, ka deklaruar Cakolli.
Ai paralajmëron se çdo vonesë në shpalljen e datës së zgjedhjeve e shtyn vendin drejt kufijve të afateve kushtetuese, duke rritur rreziqet për stabilitetin institucional.



