 
                    Cakolli: Kurti po i propozon buxhet Kuvendit që të dielën e refuzoi për kryeministër
Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, ka reaguar pasi qeveria në detyrë sot ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2026.
Ai ka vlerësuar se kjo është një situatë paradoksale dhe jo ligjore.
Cakolli ka shkruar në “Facebook”, se buxheti i vitit të ardhshëm po i propozohet Kuvendit nga një deputet që vetëm pak ditë më parë u refuzua si kandidat për kryeministër.
“Me votimin e buxhetit nga qeveria në detyrë dhe procedimin e tij në Kuvend, po merr formë një shkelje ligjore që duket si pjesë e një loje politike të menduar mirë. Sot jemi përballë një realiteti aq absurd sa edhe paradoksal: Buxheti i vitit të ardhshëm po i propozohet Kuvendit nga një deputet që vetëm pak ditë më parë u refuzua si kandidat për kryeministër. I njëjti tash po vepron si kryeministër në detyrë dhe po ia dërgon po atij Kuvendi projektbuxhetin për miratim. Shumica e (ish) ministrave që morën pjesë në miratimin e këtij buxheti në qeveri do të votojnë për të përsëri në Kuvend, veçse tash nga funksioni i deputetit. Pra, dy vota ‘pro’ për të njëjtin projektligj, nga dy pozita të ndryshme – konflikt ky i pastër interesi”, ka shkruar ai, duke treguar se qeveria aktuale nuk ka drejtë ta bëj një gjë të tillë.
“Projektbuxheti është përgatitur dhe propozuar nga (ish-)Ministri i Financave, të cilit Gjykata Supreme i kishte anuluar një udhëzim administrativ pikërisht për shkak të papajtueshmërisë së mandatit të tij. I njëjti tash vazhdon të njëjtën shkelje, por këtë herë për ligjin më të rëndësishëm të vitit – buxhetin e shtetit. Prandaj, çështja nuk është te buxheti, por tek mënyra si po shkelet ligji në emër të tij. Duke e shitur këtë si një lajm të mirë për qytetarët përmes rritjes së pagave, pensioneve, ndihmave sociale e beneficioneve të tjera po tentohet të krijohet përshtypja se kush nuk e përkrah buxhetin, është kundër qytetarëve. Pra, po krijohen kushtet e përzierjes së qëllimshme të ligjshmërisë me populizmin, për ta bërë të padukshme shkeljen. E nëse ligji shkelet sot në emër të pagave e pensioneve, nesër do të mund të shkelet në emër të çdo gjëje tjetër”, ka shkruar Cakolli.
 
                        


 
                                         
                                         
                                         
                                         
                                         
                                        