
Cakolli: Ndarja e 100 eurove për studentët bie ndesh me ligjin, cenon edhe garën e barabartë zgjedhore
Qeveria në detyrë në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për ndarjen e 100 eurove për studentët. Vendimi erdhi vetëm pesë ditë para zgjedhjeve lokale.
Eugen Cakolli nga KDI-ja, ka thënë se vlera financiare e masave të ndërmarra nga Qeveria në detyrë tashmë ka kaluar vlerën prej mbi 100 milionë eurosh gjë që nënkupton se ka tejkaluar kufijtë e vendimmarrjes administrative për “çështje rutinore apo të domosdoshme” që mund të marrë një qeveri në detyrë.
Ai ka thënë se me këtë ka hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe elektoral dhe tha se ky vendim përbën “shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale”.
“Ndarja e 100 eurove për studentë nga qeveria në detyrë, ashtu si edhe masat e tjera financiare, nuk janë aktivitete të domosdoshme, as të parapara me buxhetin vjetor apo planin e punës (i cili as nuk është publik). Rrjedhimisht, vendimet bien ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe kufizimet që ai parasheh për qeverinë në detyrë. Në total, vlera financiare e masave të ndërmarra nga Qeveria në detyrë tashmë ka kaluar vlerën prej mbi 100 milionë eurosh, që tejkalon kufijtë e vendimmarrjes administrative për “çështje rutinore apo të domosdoshme”, duke hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe elektoral. Përtej aspektit ligjor, miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Cakolli ka paralajmëruar se një veprim i tillë cenon garën e barabartë zgjedhore, duke krijuar avantazh të padrejtë për kandidatët e subjektit politik që udhëheq qeverinë dhe ndikon në sjelljen e votuesve, sidomos tek grupet e ndjeshme si studentët.