Cakolli për ministrat në detyrë: Supremja e vulosi se nuk mund të ulesh në dy karrige, bazë për ndjekje penale

15 korrik 2025 | 18:53

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pasi Gjykata Supreme ia ka shfuqizuar udhëzimin e ri administrative për arkat fiskale.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ia shfuqizoi Udhëzimin Administrativ për arkat fiskale Ministrit në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit.

Duke interpretuar këtë Aktgjykim, Cakolli ka thënë se Supremja e qartësoi përfundimisht se (ish-)ministrat, tashmë me mandat si deputetë, nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksione ekzekutive pas certifikimit të rezultateve nga KQZ, shkruan Reporteri.net.

“Çdo vendim i marrë prej tyre pas 27 marsit është nul dhe bie ndesh me Kushtetutën, si dhe parimin e ndarjes së pushteteve. Po ashtu, Gjykata konfirmoi se anëtarët e Qeverisë nuk mund të marrin vendime, sepse teknikisht Qeveria aktuale nuk ka më mandat për t’i miratuar ato”, ka shkruar Cakolli.

Sipas Cakollit, kjo ka qenë e qartë që nga dita e parë.

“Këtë e kemi thënë prej muajsh. Megjithatë, pushteti ka këmbëngulur të sillet sikur kjo situatë nuk ekziston. Kryeministri dhe ministrat e certifikuar si deputetë kanë vazhduar të marrin vendime – jokushtetuese, pa legjitimitet dhe jashtë çdo mbikëqyrjeje parlamentare – duke e shndërruar shkeljen në praktikë”, ka shkruar tutje ai.

Ai ka thënë se kjo është bazë edhe për ndjekje penale.

“Sot nuk ka më trillime juridike. Gjykata Supreme e vulosi atë që ka qenë e qartë që nga dita e parë. Nuk mund të ulesh në dy karrige dhe të sillesh sikur s’ka ndodhur asgjë. Çdo ditë e kaluar në këtë shkelje është dëm për institucionet dhe për qytetarët. Mbi të gjitha, është bazë për ndjekje penale”, përfundon postimi i tij./Reoorteri.net

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat…