
Cakolli: Sipas rezultateve të deritanishme, balotazhi do të jetë edhe më interesant
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka bërë një përmbledhje të rezultateve të zgjedhjeve lokale të deritanishme të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ai ka thënë se zgjedhjet lokale dhanë një pamje shumë të larmishme dhe interesante të hartës politike të Kosovës, posaçërisht krahasuar me zgjedhjet paraprake.
Cakolli ka thënë se sipas rezultateve të deritanishme, balotazhi do të jetë edhe më interesant.
Ai ka bërë një përmbledhje të përgjithshme të zgjedhjeve për secilën parti.
“Nëse mblidhen votat e të gjitha komunave për kandidatët për kryetarë, prin LV me rreth 27% në nivel vendi, ndërsa për kuvendet komunale prin LDK me rreth 24%. LV fituar pa balotazh në 3 komuna (Kamenicë, Podujevë, Shtime); është e para në 2 komuna që shkojnë në balotazh (Gjilan, Fushë Kosovë); dhe është e dyta në 10 komuna (Gjakovë, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Viti, Vushtrri). Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, LVV ka bërë përparim të dukshëm. Nga asnjë komunë e fituar pa balotazh atëherë, këtë herë ka 3 fitore, ndonëse numri i komunave ku del e para ka rënë nga 5 në 2. Në të njëjtën kohë, numri i renditjeve të dyta është rritur – nga 8 në 10”, ka thënë Cakolli.
Sipas tij, LDK-ja ka fituar pa balotazh në 2 komuna (Istog, Lipjan); është e para në 6 komuna që shkojnë në balotazh (Dragash, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Viti, Junik); dhe është e dyta në 3 komuna (Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë). “LDK ruan pothuajse të njëjtin nivel si në vitin 2021. Numri i komunave të fituara pa balotazh mbetet i pandryshuar (2), ndërsa ato ku del e para në balotazh janë rritur nga 5 në 6. Ndërkaq, renditjet e dyta kanë rënë nga 4 në 3. PDK fituar pa balotazh në 3 komuna (Skenderaj, Ferizaj, Hani i Elezit); është e para në 4 komuna që shkojnë në balotazh (Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Prizren, Vushtrri); dhe është e dyta në 2 komuna (Dragash, Klinë). PDK ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2021. Fitoret pa balotazh kanë rënë nga 4 në 3, komunat ku del e para nga 6 në 4, ndërsa renditjet e dyta nga 4 në 2”, ka shkruar Cakolli në “Facebook”.
Sipas tij, AAK-ja ka fituar pa balotazh në 1 komunë (Deçan); është e para në 4 komuna që shkojnë në balotazh (Gjakovë, Klinë, Rahovec, Suharekë); dhe është e dyta në 1 komunë (Junik).
“AAK mbetet në nivel të ngjashëm me zgjedhjet e vitit 2021. Fitoret pa balotazh kanë rënë nga 2 në 1, ndërsa numri i komunave ku del e para mbetet i pandryshuar (4). Edhe renditjet e dyta janë të njëjta (1 komunë)”, ka deklaruar Cakolli.