Cakolli: Zgjedhjet janë opsioni më i keq në këtë fazë

09 mars 2026 | 12:29

Në situatën aktuale kushtetuese, Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, ka theksuar se Gjykata Kushtetuese duhet të veprojë shpejt dhe të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së një mase të përkohshme lidhur me dekretin e presidentes, në mënyrë që të shmanget një krizë edhe më e thellë institucionale.

Sipas tij, ndonëse sipas parimit të ligjshmërisë dekretet konsiderohen të vlefshme derisa të vërtetohet e kundërta nga gjykata, paqartësitë kushtetuese në këtë rast kërkojnë reagim të menjëhershëm.

“Edhe pse sipas parimit të ligjshmërisë dekretet janë të ligjshme derisa të vërtetohet e kundërta në gjykatë, për shkak të paqartësisë kushtetuese që kemi në këtë situatë është tejet e rëndësishme që gjykata ta trajtojë me prioritet lëndën dhe potencialisht të vendosë edhe masë të përkohshme mbi bazë ‘ex-officio’, nëse një kërkesë e tillë nuk është paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Cakolli ka paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren hapa të tillë, vendi mund të përballet me një cikël të kontestuar institucional, duke kujtuar edhe një rast të mëhershëm të vendimmarrjes kushtetuese.

“Çfarëdo situate ku mund të hyjmë në një cikël të kontestuar do të rrezikonte që vendi të përsërisë skenarin që e kemi pasur me rastin e zgjedhjes së nënkryetarëve, kur gjykata konstatoi se procedura nuk kishte qenë kushtetuese, por ndërkohë Kuvendi ishte shpërndarë dhe vendi kishte shkuar në zgjedhje pas një procedure që në esencë ishte jokushtetuese”, ka theksuar Cakolli për “Ekonomia Online”.

Sipas tij, praktika e deritanishme tregon se Gjykata Kushtetuese ka vepruar shpeshherë me prioritet në raste të ndjeshme.

“Gjykata në të kaluarën ka treguar se ka trajtuar me prioritet raste të tilla dhe ka vendosur edhe masa të përkohshme pa iu kërkuar fare nga palët, prandaj pres që brenda kësaj jave, nëse jo brenda ditëve aktuale, të vendoset për një masë të përkohshme si mënyra e vetme për të parandaluar një shkelje edhe më të rëndë dhe cenimin e interesit publik”, ka shtuar ai.

Ai gjithashtu ka vlerësuar se zgjedhjet në këtë moment do të ishin opsioni më i pafavorshëm për vendin.

“Pas krizave të njëpasnjëshme kushtetuese që kanë derivuar nga situata politike, zgjedhjet janë opsioni më i keq i mundshëm në këtë fazë, sidomos në raport me proceset reformuese dhe funksionin ligjvënës e mbikëqyrës të institucioneve”, ka thënë ai.

Sipas tij, vendi tashmë po hyn drejt vitit të dytë me institucione jo plotësisht funksionale, gjë që mund të minojë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.

“Një situatë e tillë e minon besimin e publikut në institucione dhe mund të ndikojë edhe në pjesëmarrjen në zgjedhje, për shkak të lodhjes së qytetarëve nga ciklet e shpeshta zgjedhore”, ka deklaruar ai.

Cakolli ka paralajmëruar se krizat e vazhdueshme institucionale mund të kenë ndikim edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.

“Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt edhe në proceset e integrimit dhe në marrëveshjet ndërkombëtare, duke e dëmtuar kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës, pasi në sytë e partnerëve ndërkombëtarë mund të paraqitemi si një vend që nuk arrin të tejkalojë as krizat më të zakonshme politike”, ka theksuar ai.

Sa i përket rolit të presidentes, ai ka thënë se nga aspekti ligjor nuk ka pengesa që ajo ta caktojë datën e zgjedhjeve, por se mund të presë edhe për një kohë të shkurtër.

“Meqenëse presidentja është njoftuar nga gjykata se rasti është pranuar për shqyrtim, nuk ka ndonjë ndalesë ligjore që ajo ta caktojë datën e zgjedhjeve. Megjithatë, duke marrë parasysh situatën aktuale, ajo mund të presë edhe pak, ndonëse kjo mund ta prekë afatin 45-ditorë dhe kohën në dispozicion të KQZ-së”, ka thënë Cakolli.

Megjithatë, ai shtuar se nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos shpejt, presidentja do të jetë e obliguar të veprojë.

“Nëse kjo nuk ndodh brenda ditëve në vijim, atëherë presidentja, në funksion të ushtrimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, është e obliguar ta caktojë datën e zgjedhjeve, për të ruajtur sigurinë juridike në vend”, ka përfunduar Cakolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dardan Sejdiu, ekonomist dhe opinionist, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti,…