
Caktohet data e Superkupës dhe fillimit të edicionit të ri në volejboll
Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) në mbledhjen e radhës të bordit ka marrë vendime të rëndësishme që lidhen me zhvillimet e brendshme dhe përgatitjet për sezonin e ri garues 2025/26.
Fillimisht, Bordi i FVK-së aprovoi procesverbalin e mbledhjes së kaluar, si dhe raportin e kombëtareve seniore për kualifikimet e CEV EuroVolley 2026, duke vlerësuar përkushtimin dhe paraqitjet e ekipit kombëtar në këtë cikël garash. Një pjesë e veçantë e mbledhjes iu kushtua përgatitjeve për sezonin e ri 2025/26, ku u përcaktua edhe kalendari i garave kombëtare: Superkupa në konkurrencën e femrave do të zhvillohet më 20/21 shtator 2025, kurse Superliga A në të dy konkurrencat do të nisë më 27/28 shtator 2025.
Ndërsa Superliga B dhe Liga e Parë do të startojnë më 4/5 tetor 2025. Me këto vendime, FVK-ja synon një organizim të standardit të lartë dhe të qëndrueshëm të garave, si dhe krijimin e një ambienti sa më të mirë për zhvillimin e volejbollit në Kosovë.