Cali që rininë e pati luftë, sot u dashka të dëshmojë se lufta e tij ishte e drejtë

25 shtator 00:02

Shkruan: Qëndron Kastrati

Salih Mustafa, i njohun për neve si Cali, qenka arrestuar sot nga Policia e Gjykatës Speciale.

Cali, i burgosur politik për 5 vite nga regjimi i Millosheviçit për shkak të aktivitetit ilegal, ish – epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën Operative të Llapit, drejtues i njësitit gueril të Prishtinës BIA, dhe një nga organizatorët e shtrirjes së UÇK-së në Zonën e Llapit dhe atë të Karadakut, u arrestua nga Eulexi.

E dhimbshme sesi kjo gjeneratë e cila është rritë në shtypje, dhe luftuan kundër saj, edhe pas 20 vite të lirisë po përballen më një jetë të pamerituar e jo të dinjitetshme. Në fakt, do duhej të ishte e kundërta!

Cali që rininë e pati luftë, sot u dashka të dëshmojë se lufta e tij ishte e drejtë. Unë them se jo. Lufta e Kosovës për liri nuk ka pse deshmohet para akuzave të fabrikuara në Serbi. Prandaj kjo Gjykatë duhet të zhbëhet. Aq më tepër që trafikimi i organeve tash as që përmendet.

Siç duket Specialja është në krizë të madhe kredibiliteti. Tash që dosjet e publikuara e kanë humbur çdo mundësi për admimistrim të mirë provash e proces të drejtë, ata duan të hedhin kripë në plagët e njerëzve. Kurrë më shumë se sot nuk është vënë në pikëpyetje ekzistenca e saj. Andaj, në këtë moment ndihmon tema e vrasjeve të pasluftës. Kështu mbase ju beson dikush. Specialja po bën PR (marrëdhënje me publikun) me aktakuza. Nuk e dimë ende çfare ka në rastin konkret, sepse vetë Specialja është bërë thashethemnajë. Askush nuk e di çfarë është e vërtetë e çfarë trullim. Asnjë trillimi nuk i themi jo. Ku ta dish, ky tipi që flet e ka pa naj dosje, ose i ka tregu dikush që i ka parë ato.

Thashethëmet idiote nisin qarkullimin, qarshia sakaq i futë në centrifuge, i përzien, i përpunon. Ky është ambienti i Speciales. Secili mund të thotë se i ka parë dosjet, secili i di ngjarjet. Kjo është idiotësi speciale.

Kjo gjykatë e cila po e dëmton shtetin tonë, nuk mund t’i njollosë vlerat e UÇK-së dhe gjithë këtyre heronjve që dhanë kontribut të pashoq në luftën për liri.

Unë sot e gjithmonë, do jem përkrah të gjithë luftëtarëve të UÇK-së. Përkrah tyre duhet të jemi të gjithë. Sot më shumë se kurrë Calit i duhet mbështetja e të gjithë neve.

Për fund, ne duam drejtësi për secilin në Kosovë, pavaresisht secilës përkatësi. Por, prej Speciales do ta marrim të shpërfytyruar vetë idenë e lirisë. Prandaj Specialja duhet ndaluar! Ky do të ishte konfirmim i shtetësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari i mirënjohur Labinot Tahiri në bashkëpunim me këngëtaren Albina…