CAS-i ia shfuqizon dënimin Cityt

13 korrik 2020 | 11:34

Manchester City do të luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e ka shfuqizuar dënimin me dy vjet pezullim nga futbolli evropian për klubin anglez.

UEFA e dënoi Man Cityn me dy vjet pezullim nga garat evropiane në shkurt të këtij viti, për shkelje të rënda të rregullave për ndershmëri financiare dhe licencim të klubit.

Klubi i Premierligës i pati mohuar akuzat në mënyrë ta vazhdueshme dhe të ashpër dhe muajin e kaluar vendosi të ankohej ndaj dënimit në CAS. Pas një seance dëgjimore që zgjati tri ditë në muajin qershor, CAS-i ka vendosur tani që t’ia heqë dënimin të kaltërve.

Kjo nënkupton se City do të jetë i lirë të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi e ka siguruar një vend në garën më prestigjioze evropiane duke qenë se e siguroi vendin e dytë në Premierligë të shtunën pas fitores 5:0 ndaj Brighton.

Ndërsa, dënimi me gjobë prej 30 milionë euro i është ulur në 10 milionë euro. Në një komunikatë për media pas vendimit, CAS tha: “Shumica e akuzave për shkelje të raportuara nga dhoma gjykuese e Institucionit për Kontroll Financiar të Klubeve (CFCB) i UEFA-s ishin të pabazuara apo me limit të skaduar kohor”.

“Nuk ishte i drejtë shqiptimi i një dënimi për ndalim pjesëmarrjeje në garat për klube të UEFA për Manchester City vetëm sepse dështoi të bashkëpunojë në hetimet e CFCB-së”, thuhet tutje në njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë…