Çdo 40 sekonda ndodh nga një vetëvrasje

10 shtator 11:47

Edhe pse numri i personave që kryejnë vetëvrasje ka rënë në shkallë botërore, statistikat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se çdo 40 sekonda një person humb jetën nga ky veprim ekstrem.

Nga viti 2010 e deri në 2016-ën numri i vetëvrasjeve u ul me 9.8% në të gjithë botën, përveçse në kontinentet amerikane, ku në fakt pati rritje.

Me 800 mijë viktima në vit, vetëvrasja është një dukuri më vdekjeprurëse se kanceri i gjirit, lufta dhe vrasjet. Ndonëse është shqetësim shumë i rëndë për publikun, vetëm 38 vende në botë zbatojnë strategji për parandalimin e tyre.

Në Afrikë, Europë dhe Azinë  juglindore, vetëvriten mesatarisht 10.5 persona për çdo 100 mijë banorë. Burrat janë ata me numrin më të lartë, pasi për çdo 100 mijë burra, 13.7 kryejnë vetëvrasje, ndërsa për gratë kjo shifër është 7.5 për 100.000.

Vendet e pasura kanë raportin më të madh të vetëvrasjeve në krahasim me popullsinë, edhe pse në total, në shkallë botërore, 79%  e viktimave janë nga vendet e varfra dhe ato me zhvillim mesatar.

Pas aksidenteve rrugore, vetëvrasja renditej e dyta për numrin më të madh të vdekjeve nga mosha 15 në 29 vjeç. Ndërsa mes adoleshentëve 15 deri në 19 vjeç, vetëvrasjet kryhen më shumë nga vajzat.

Në mënyrë për ta ulur sadopak dukurinë, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që të merren masa për kufizimin e helmeve që shiten në formë pesticidesh, pasi janë mjeti i tretë më i përdorur për vetëvrasje, pas varjes me litar dhe goditjes së vetes me armë zjarri.  Si shembull, OBSH jep shifrat nga Koreja e Jugut, ku numri i vetëvrasjeve u ul me 50% pasi u ndaluan një sërë pesticidesh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rita Ora ka zbuluar se nuk njeh as fytyrë e…