
Çdo veprim i Speciales, jashtë mandatit të saj, i kundërligjshëm
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë reaguar lidhur me veprimet e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në shtëpinë e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
OVLUÇK-ja ka theksuar se çdo veprim i Gjykatës Speciale, jashtë mandatit të saj, është i kundërligjshëm dhe kundërkushtetues, raporton “Epoka e re”.
“Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, reagojnë ndaj spektakleve që bëhen me anë të bastisjeve të pjesëtarëve të UÇK-së dhe konsiderojnë se çdo veprim i Gjykatës Speciale, jashtë mandatit të saj, është i kundërligjshëm dhe kundërkushtetues”.
“Ne si Organizata jemi duke punuar me deputetët e Kuvendit të Kosovës që skadimin e mandatit të kësaj gjykate ta dërgojmë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, kanë njoftuar të mërkurën se Zyra e Prokurorit të Specializuar aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë.
Jakup Krasniqi, i cili nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është intervistuar në korrik të vitit të kaluar, ka qenë zëdhënës, si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.