Ç’duhet parë tek protesta e së shtunës veç dhunës së papranueshme

19 shkurt 2019 | 16:27

Nga Bedri Islami

Protesta e ditës së shtunë, me gjithë bujën, dhunën, deklaratat politike, marshimet, shfryrjet, mallkimet, përgëzimet, mbaroi. Si duket, një tjetër protestë është në përgatitjet dhe ajo do të zhvillohet para godinës së parlamentit. Opozita nuk u mbajt dot në fjalën e dhënë para protestës së parë dhe njoftoi copëzimin e saj në disa ditë të ndryshme.

Kërcënimet e Berishës për tërheqje zvarrë të figurave qeveritare, që nga shefi i qeverisë dhe deri tek oligarkët janë një reminishencë që ai e bën çdo herë që ka rast të dëshmojë se asgjë në mentalitetin e tij nuk ka ndryshuar dhe nuk do ndryshojë.

Nga ana tjetër, i relaksuar disi Edi Rama, shpejtoi të futet në vorbullën e zakonshme të fjalëve, sërish me përqeshjeje cinike dhe mendjelehtësi të habitshme. Mitingu i tij, gjysmë elektoral dhe gjysmë përballues, në qytetin e Vlorës, nuk është përgjigjja më e mirë dhe më e duhura. Nëse vazhdon të ketë në mendësinë e tij pikërisht këtë vizion qeverisës, me sheshe të mbushura si kundërshti dhe përballje, atëherë, njeriu që në botën e politikës, do të jetë më i dëmtuar, do të jetë ai vetë; pas tij, edhe shumë njerëz që kanë pritur e besuar tek politika e tij dhe rilindja e vendit.

Shumicës, më shumë se çfarë do të bëjë opozita, çfarë ka menduar në ditët e ardhshme, do të djegë apo jo mandatet, do të organizojë protesta jashtë sistemit apo brenda tij; si do të jetë sjellja e të deleguarve të saj në qarqe, etj, i intereson pikërisht se çfarë do të bëjë qeveria, dhe, më tej se kaq, çfarë do të bëjë Edi Rama.

A mund të përballojë Shqipëria , edhe më tej, këtë gjendje, hiq e mos këput? Ndërto e mos ndrysho, krijo një rrjet oligarkësh dhe përbetohu për të varfrit, shpërndaji tek të pasurit dhe mblidh nga të vobektët? A mundet , edhe më tej që shteti të jetë gjysmë i verbër ndaj asaj që ndodh rreth e rrotull tij dhe të mos e vërejë se jo gjithçka është si thonë militantët e zyrtarët?

Prej kohësh është bërë e domosdoshme të lexohen mesazhet që vijnë nga njerëzit drejt qeverisë, veçanërisht nga votuesit e saj. Qeverisja nuk është një portal ku mund të shkruash dhe të marrësh një përgjigje që reklamohet në media; nuk është as darka e zakonshme e pazareve me një a dy oligarkë të pasur a pronarë medialë; nuk është lehtësia për të emëruar, në poste të reja që në fakt duheshin dënuar për shkatërrimin e ekonomisë shqiptare; nuk është të futesh në një debat shterpë online me kë të dalë përpara orëve të natës.

Rama duhet të dallojë qartas se ata që dolën në shesh nuk janë të gjithë njerëz që kanë probleme me drejtësinë si liderët që e thirrën atë.

Opozita ka thirrur edhe herë të tjera protesta, bile i ka quajtur historike, më të mëdhatë, por pjesëmarrja ka qenë domethënëse dhe mohuese.

Këto liderë që janë sot kanë qenë edhe dje, por popull kanë pasur pak rreth vetes. Nëse kjo masë është shtuar, kjo do të thotë se shtimi i tyre ka të bëjë me keq qeverisjen. Ka të bëjë me zemërimin, me pamundësinë, me mbylljen e alternativave të tjera përfaqësuese. Dhe sidomos siç e vërejnë të gjitha sondazhet e fundit, me përkeqësimin e gjendjes ekonomike deri në humbje shprese për të ardhmen. Dhe kjo vjen prej taksimeve arrogante, shpërndarjes pa kandar të vlerave financiare, mbështetjes së një grushti të privilegjuarish në kurriz të qindra mijë taksapaguesve që ua shtrëngon përditë lakun  në fyt.

Detyra e shefit të qeverisë është të lexojë këtë shtesë të protestuesve, të cilët jo gjithnjë e kanë lidhur fatin e tyre me shefat e një opozite të diskredituar. Nëse nuk do të bëjë këtë përdallim, le të jetë i bindur se kjo masë do të shtohet gjithnjë e më tej, dhe jo për sytë e bukur të Lulzim Bashës e as për kërcënimet qesharake të Kryemadhit apo Vasilit.

Përpjekja për të shpërndarë nëpërmjet propagandës se të gjithë ata që ishin në protestë me 16 shkurt e që mund të jenë në protesta të ardhshme, janë të manipuluar është e gabuar.

Ka një ndarje mes të manipuluarve, të cilët nga naiviteti mendojnë se opozita e ka për zemër çështjen e tyre; ka të manipuluar që kanë rënë nga pushteti dhe presin rokadën në administratë për të shkuar aty ku ishin; ka mitingashë që sulen si demat pas një dere apo një kërpudhe dhe që nesër mund të jenë policë. Por në masën e njerëzve shumë prej tyre protestojnë të dëshpëruar për gjërat e zakonshme të një jete normale.

Kjo situatë e sotme është e paralajmëruar. Sinjalin e parë e dhanë studentët. Masiviteti i fillimit të protestës së tyre i kapi të gjithë gafil.

Në dy vitet e fundit, qeverisja po shkon gjithnjë e më shumë drejt krijimit të një etashmenti financiar e politik, që pak lidhje ka me njerëzit e sidomos me votuesit e majtë.  E vërteta është që po krijohet një hendek i ndjeshëm mes masave të qeverisë dhe përfitimit të shqiptarëve prej tyre.

Shumë nga ata që do merrnin pjesë në çdo lloj proteste tashmë kanë ikur nga Shqipëria. Dhe vijojë të ikin. Nëse në qeverisje ka njerëz që dashurohen me diskurset e tyre politike, por nuk sjellin më shumë të ardhura, jetë më komode, sado karizmatikë të jenë për ata që i shohin nga larg, nuk vlejnë asgjë nëse nuk i mbajnë dot shqiptarët në Shqipëri.

Cinizmi i një oligarku, i afërt me shefin e qeverisë se, edhe nëse ikin të rinjtë nuk është problem fuqia punëtore, pasi marrim nga vendet e treta, nuk mund të bëhet vijë qeveritare, siç është bërë

Shefi i qeverisë duhet ta dijë, ndoshta më mirë se të gjithë se, pikërisht nga këto njerëz që shpresuan e tani janë dorëzuar te shpresëhumbja, ai është në qeverisje.

Atyre nuk mjafton ajo që mendon Rama se i mjafton për të vijuar qeverisjen: fakti që ka përballë një opozitë të tillë, një trupë politike të lodhur, të njëtrajtshme në ide, meskine në vizion, gllabëruese kur ishte në pushtet.

Nuk është detyrë e Ramës apo e qeverisë të ndërtojë një opozitë tjetër, por është detyrë e tij të ketë një qeverisje model, pa lidhje me krahasimet bajate që bën me të mëparshmit, a thua se shqiptarët e votuan për të vjedhur më pak se Berisha, apo sepse e dinin që ky nuk vret protestues.

Këto janë standarde cinike dhe pa vlerë për qindra-mijë shqiptarë të zhgënjyer.

Protesta e 16 shkurtit, megjithë dhunën e saj ishte një mesazh i qartë për një shef qeverie që duhet të shohë përtej saj, më shumë se të tjerët.

Është i dyti sinjal pas studentëve se nuk mund të vazhdojë të qeverisë kështu. Është koha të mbledhë mendjen. Dua të besoj se kjo do të ndodhë. Rrugë tjetër nuk ka.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Senatori amerikan, Bernie Sanders, ka bërë me dije se do…